Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i ri i PD-së zgjidhet më 29 korrik, 8 orë debate e përplasje, kryesia rrëzon propozimin e deputetëve


Me tensione e debate është shoqëruar mbledhja e kryesisë së PD-së zyrtare.

Pas 8 orësh mbledhjeje që nisi në orën 18:00 të së martës, kryesia vendosi që të hapë menjëherë garën dhe zgjedhjet për kreun e ri të PD-së dhe strukturat e reja drejtuese.

Zgjedhjet për kreun e ri të PD-së janë vendosur të mbahen më 29 korrik 2023.

Gjatë mbledhjes që përfundoi në orën 2 e 30 pas mesnate, 17 nga  28 anëtarët e kryesisë iu bashkuan propozimit të mëhershëm të Kolegjit të Kryetarëve për hapjen e menjëhershme të garës.

Ata hodhën poshtë propozimin e grupit parlamentar për zhvillimin e një analize mbi humbjen e më pas mbajtjen e zgjedhjeve në degët e PD-së në rrethe, para zgjedhjes së kreut  të partisë.

Grupi i deputetëve i përbërë nga Gazment Bardhi, Dashnor Sula, Bledion Nallbati, Helidon Bushati, Jorida Tabaku, Lefter Gështenja e Sajmir Korreshi kërkuan zhvillimin e zgjedhjeve së pari nëpër degë e më pas për kryetar.

Ndërsa grupi i dytë që mbështeti hapjen e garës për kryetar e zhvillimin e saj më 29 korrik përbëhej nga ish-kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj, ish-kandidatët për kryetar bashkie Roland Bejko e Agron Kapllanaj si dhe ish-deputeti Xhemal Gjunkshi.

Orët e fundit të mbledhjes u shoqëruan edhe me tensione dhe tone të larta. Teksa anëtarët e kryesisë mbanin diskutimet e fundit, një grup militantësh të PD, mbështetës të Lulzim Bashës, u mblodhën jashtë, duke kërkuar vendim.

Bardhi, Korreshi, Bushati, Sula, Gështenja, Nallbati e Çupi ishin deputetë që braktisën të parët mbledhjen e Kryesisë, rreth orës 01:00 të mesnatës. Gjatë largimit nga mbledhja, deputetët janë sharë dhe ofenduar nga militantët që ishin mbledhur para selisë blu. 

VENDIMI

PËR ORGANIZMIN E PROCESIT ZGJEDHOR PËR KRYETAR TË PARTISË DEMOKRATIKE

Në mbështetje të pikës 6, të nenit 10, neneve 24,25,45, 46 dhe 53 të Statutit të PDSH-së, duke vlerësuar situatën e vështirë që kemi kaluar, situatën aktuale të strukturave të partisë dhe vakancat e krijuara ne disa nivele duke filluar nga Kryetari i PDSH e deri në bazë, bazuar në kërkesën e Kolegjit të Kryetarëve për nevojën emergjente për zhvillimin menjëherë të zgjedhjeve për Kryetarin e PDSH si dhe riorganizmit të plotë të partisë, Kryesia e Partisë në mbledhjen e datës 6 Qershor 2023,

VENDOSI:

Fillimin e menjëhershëm të procesit të evidentimit të antarësisë, dhe organizimit të zgjedhjeve për kryetar të PDSH.

Në çdo degë të PD brenda datës 15 korrik kryhet procesi i plotë i evidentimit të antarëve me të drejtë vote sipas përcaktimeve të nenit 25 të statutit.

Kryetari i degës ngre grupin e punës të degës i cili ka për detyrë të kryejë evidentimin e antarëve me të drejtë vote;

Grupi i punës në degë bën evidentimin e antarësisë dhe strukturave në detyrë brenda datës 13 korrik.

Lista e përpiluar sipas formatit në aneksin 2 depozitohet pranë sekretariatit të PDSH.

Komisioni Zgjedhor përpilon listën kombëtare të antarësisë me të drejtë vote sipas përcaktimeve të nenit 25.

Organizimi i procesit për zgjedhjen e kryetarit të PDSH:

Procesi zgjedhor drejtohet nga Komisioni Zgjedhor i Partisë;

Pranë Komisionit Zgjedhor, secili kandidat paraqet kërkesën për kandidim brenda datës 20 Qershor 2023;

Fushata zgjedhore zhvillohet nga data 24 Qershor deri në datën 27 korrik 2023;

Zgjedhjet për kryetar të PDSH zhvillohen në datë 29 korrik 2023.

Kryesia e PDSH brenda datës 12 qershor 2023, cakton grupet e punës në nivel qarku që në bashkëpunim me deget mbikqyrin procesin e evidentimit te antarësisë;

Kuvendi i jashtzakonshëm statutor zhvillohet brenda muaji shtator 2023;

Ngarkohen Sekretari i Përgjithshëm, Sekretariati dhe Komisioni Zgjedhor për njoftimin dhe ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.