Presidenti serb tha se nuk është kundër që vendi i tij t’u shesë municion ndërmjetësve që i dërgojnë ato në Ukrainë, një sinjal se aleati i vendosur ballkanik i Rusisë po rrotullohet drejt perëndimit.
Aleksandar Vuçiç ka mbështetur tradicionalisht Moskën dhe ka kundërshtuar të bashkohet me sanksionet perëndimore ndaj Rusisë pas pushtimit të saj të territoreve të Ukrainës. Por në një ndryshim të qëndrimit, presidenti serb tha se ishte në dijeni të raporteve të qeverisë amerikane se municionet serbe kanë përfunduar në Ukrainë nëpërmjet ndërmjetësve dhe se ai nuk kishte plane për ta ndaluar këtë.
“A është e mundur që të ndodhë? Nuk kam asnjë dyshim se mund të ndodhë”, tha Vuçiç për Financial Times.
“Cila është alternativa për ne? Për të mos e prodhuar atë? Për të mos e shitur?”
Sipas tre diplomatëve perëndimorë në rajon, lëvizja që dërgon municionet serbe në frontin ukrainas ka qenë një faktor vendimtar në një ndryshim të dukshëm pasi SHBA-ja, NATO-ja dhe BE-ja së fundmi mbështetën Serbinë në një ndezje të tensioneve etnike në Kosovë.
I pyetur nëse ishte një hap i qëllimshëm për të fituar miratimin e kryeqyteteve perëndimore, Vuçiç pohoi se Beogradi u përpoq të vepronte në ‘mënyrë asnjanëse’.
“Por unë nuk jam budalla. Jam i vetëdijshëm se disa nga armët mund të përfundojnë në Ukrainë.”
Vuçiç pranoi se po ecte në një teh të ngushtë mes Moskës dhe fuqive perëndimore, por tha se ai nuk do ndihmonte përpjekjet e luftës ruse.
“Ne u bashkuam me të gjitha rezolutat e OKB-së,” tha ai duke iu referuar deklaratave të OKB-së që dënojnë pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia.
“Ne i bashkohemi ndalimeve të rieksportit, të tilla si teknologjia e përdorimit të dyfishtë në drone…Ne nuk do të jemi një qendër për të rieksportuar diçka në Rusi.”
Ai shtoi se kohët kur ai fliste me presidentin rus Vladimir Putin çdo tre muaj kishin mbaruar, duke theksuar se ai nuk ka qenë në kontakt me Kremlinin prej një viti përveç pritjes së vizitorëve nga Moska. “Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë,” tha ai.
Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill tha për FT se Ukraina ka tejkaluar çdo çështje tjetër në Evropë, dhe veçanërisht në Ballkan, ku Rusia ka pasur tradicionalisht ndikimin.
“Ukraina është absolutisht kritike dhe ne jemi në një pikë ku të gjitha duart duhet të jenë në të njëjtin vend për të ndihmua,” tha Hill.
“Kur njerëzit janë në bord, marrëdhëniet përmirësohen.”
Lidhjet e forta të Serbisë me Rusinë dhe potenciali i saj për të prishur sigurinë rajonale kanë bërë që kryeqytetet perëndimore të miratojnë një qëndrim më të butë ndaj Beogradit, tha firma e inteligjencës së mbrojtjes Janes.
“Duke pasur parasysh rrezikun e përshkallëzimit ushtarak në Kosovën veriore, qeveritë perëndimore nuk duan të rrezikojnë të kenë një konflikt tjetër në Evropë”, thanë analistët e Janes, Stefano Marras dhe Ines Gonzalez.
Kjo qasje mbart rreziqe, tha Engjellushe Morina, një anëtare e lartë në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.
“Kosova ka kryer gabimet e veta si pjesë e procesit, por kënaqja perëndimore ndaj orientimit në thelb antiperëndimor të politikës së jashtme të Serbisë ndihmoi në hapjen e rrugës për dhunën e fundit”, shkroi ajo.
Vuçiç tha se ai nuk priste një përparim në veri të Kosovës, ku dhuna shpërtheu muajin e kaluar kur serbët vendas kërkuan të bojkotojnë emërimin e shqiptarëve etnikë si kryetarë komunash pas zgjedhjeve të kontestuara.
BE-ja i tha Kosovës që të përsëriste votimin dhe këmbënguli që serbët të marrin pjesë në zgjedhje dhe të nderojnë rezultatin. Vuçiç tha se kjo do ishte e pamundur derisa të përmbushen kërkesat e komunitetit serb, siç është largimi i njësive të policisë shqiptare të armatosur rëndë.
“Atëherë mund të fillojmë të diskutojmë gjëra të tjera.”
Igor Simiç, nënkryetar i Listës Serbe, partia kryesore politike e komunitetit serb në Kosovë, tha se kishte pak besim në përmbushjen e këtyre kërkesave së shpejti.
“Ne nuk po mendojmë për zgjedhjet.”
Brenda vendit, Vuçiç gjithashtu duhet të përballet me zemërimin në rritje pas dy të shtënave masive një muaj më parë, duke lënë të vdekur dhjetëra njerëz, kryesisht nxënës.
Një seri protestash në javët e fundit shfaqën pakënaqësi publike në rritje me sundimin dhjetëvjeçar të Vuçiçit dhe partisë së tij SNS, të parë nga protestuesit si gjithnjë e më autokratike dhe të korruptuara. Presidenti dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë dhe planifikon të formojë një grup ombrellë të aleatëve të tij, por tha se protestat nuk kërcënojnë stabilitetin.
Demonstratat, si konflikti i Kosovës, nuk ka gjasa të zhduken. Protesta më e madhe, e pesta brenda një muaji, tërhoqi dhjetëra mijëra njerëz nga i gjithë vendi në Beograd të shtunën.
“Të shtënat ishin një moment zgjimi,” tha Savo Manojlović, udhëheqës i grupit të të drejtave të OJQ-së Kreni Promeni (Shko Ndrysho), i cili ka ndihmuar në organizimin e protestave.
“E keni në çdo ndërmarrje publike, në çdo institucion. Korrupsioni zhvendos meritokracinë.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT
Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani