Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pas njoftimit të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për një draft-statut të tijin që ia ka dërguar bashkësisë ndërkombëtare për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
Meta tha se Kosova mund të ndihmohet përmes komunikimit mes institucioneve dhe Kryeministrit Kurti, ndërsa qeveria nuk mund të flasë apo propozojë politika që duhen zbatuar në Kosovë.
Sipas kreut të PL-së nëse Rama kërkon të luajë ndonjë rol duhet të bënte jo duke bërë patronazhistin mbi Kosovë por duke i kërkuar Beogradit nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit.
“Situata e krijuar në mes të Serbisë dhe Kosovës mund të ndihmohet nga Shqipëria vetëm përmes komunikimit të drejtpërdrejtë e konstruktiv me institucionet e Kosovës dhe Kryeministrin Kurti.
Nuk ka nevojë për ndërhyrje të njëanshme dhe jotransparente, të cilat acarojnë apo përkeqësojnë situatën, e cila paraqitet delikate.
Qeveria shqiptare në asnjë rast nuk duhet të flasë apo të propozojë politika që duhen zbatuar brenda në Kosovë, pa u konsultuar paraprakisht me Kryeministrin dhe institucionet legjitime në Kosovë.
Asociacioni i Komunave është një marrëveshje tashmë e pranuar nga qeveria aktuale e Kosovës, dhe ajo garantohet në Marrëveshjen e Brukselit dhe në Aneksin e Marrëveshjes së Ohrit, të realizuara me mbështetjen dhe negocimin e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Zgjidhja se si do të arrihet Asociacioni, gjendet pra tek respektimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.
Z. Kurti ka treguar vazhdimisht përgjegjësi dhe vullnet të palëkundur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Ndërsa tek Z. Vuçiç nuk e kemi parë në asnjë rast një gjë të tillë, përkundrazi një sërë veprimesh të tij kanë demonstruar të kundërtën.
Z.Rama, nëse do të donte të luante një rol mund ta bënte këtë, jo duke luajtur rolin e patronazhistit mbi Kosovën, por vetëm duke i kërkuar Beogradit nënshkrimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit dhe zbatimin e tyre, njohjen e Kosovës nga Serbia dhe heqjen dorë nga strategjia e tensionimit të vazhdueshëm të situatës”-shkruan Meta.