Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian, i kanë miratuar planet për t’i ashpërsuar politikat për azil.
Vendimi është marrë në Luksemburg, teksa rriten shifrat e migrimit.
Ministrat e vendeve të BE-së, “kanë marrë hap historik, pas shumë vjetëve të negociatave”, ka thënë ministrja e Brendshme e Suedisë, Maria Stenergard, e cila e ka kryesuar takimin.
Sipas saj, planet përbëjnë “balanc të mirë në mes të përgjegjësisë dhe solidaritetit”.
Pas disa orëve negociata, shumica e ministrave të Brendshëm të bllokut, janë pajtuar për reformat e propozuara, pavarësisht kritikave të Austrisë, Holandës, dhe Italisë, të cilat kanë thënë se reformat nuk janë të mjaftueshme.
Ministrat e BE-së i kanë analizuar draft-planet për t’i ndaluar azilkërkuesit nëpër disa qendra të bllokut, nëpër kufijtë e jashtëm, derisa atyre t’iu procesohen aplikimet.
Nëse aplikanti nuk ka mundësi që të sigurojë azilin në BE, ai ose ajo duhet të kthehen menjëherë nëpër vendet prej nga kanë ardhur.
Aplikimet për azil duhet të analizohen në një periudhë kohore prej gjashtë muajsh.
Pjesë e debatit ka qenë edhe krijimi i një sistemi për të shpërndarë një përqindje të azilkërkuesve nëpër vendet e BE-së.
Shtetet e BE-së, që nuk tregojnë gatishmëri, apo nuk mund t’i pranojnë migrantët, do të ofrojnë ndihmë financiare prej 20.000 eurosh për person, ka thënë Stenergard.
Unanimiteti nuk është i nevojshëm për vendimet e bllokut për politika të migrimit.
Kryeministri hungarez Viktor Orban e vlerësoi të papranueshme marrëveshjen brenda Bashkimit Evropian (BE) për rishikimin e rregullave në lidhje me migrantët dhe azilkërkuesit.
“Brukseli po e keqpërdorë pushtetin e tij. Ata duan të zhvendosin me forcë migrantët në Hungari. Kjo është e papranueshme, ata duan ta kthejnë me forcë Hungarinë në një vend migrantësh”, tha Orban, më 9 qershor.