Kryeministri Edi Rama, njoftoi ditën e djeshme përmes një konference për shtyp, se i ka dorëzuar kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrit francez Emanuel Macron, një draft statut mbi Asocacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, me qëllim ç’tensionimin e situatës në Veri dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Euroneës Albania ka kontaktuar me Zyrën e Shtypit dhe Informacionit të Qeverisë Federale gjermane për të marrë më shumë informacion në lidhje me përmbajtjen e këtij draft-statuti.
Në përgjigjen e kthyer për gazetarin Thimi Samarxhiu, zëdhënësi i qeverisë pranon marrjen e dokumentit nga zyra e kancelarit gjerman, por preferoi të mos jepte më shumë detaje në lidhje me përmbajtjen e draftit, kjo dhe për shkak të konfidencialitetit të dokumentit.
“Mund të konfirmojmë marrjen e dokumentit në Kancelari. Ju kërkojmë mirëkuptimin tuaj se ne nuk mund të komentojmë përmbajtjen e këtij dokumenti konfidencial”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të qeverisë gjermane.