Vendosni fjalën kyçe....

Haradinaj: Thirrja ime e fundit për Kurtin e Osmanin, pranoni sugjerimet e SHBA-së e BE-së


Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti e presidentes Osmani që të pranojnë sugjerimet e SHBA-së dhe BE-së për gjendjen në veri të vendit.

Ai shkruan se Kosova po kalon momente të vështira për shkak të kryeneçësisë se Kurtit e pavendosmërisë së Osmanit.

Haradinaj nënvizon se rreziku që paraqet izolimi nga aleatët perëndimorë mund të ketë pasoja të rënda për Kosovës ndërsa thekson se vetëm duke bashkërenduar veprimet me SHBA-në e BE-në mund të fitohet beteja përfundimtare me Serbinë.

“Kosova po kalon momente të vështira, për shkak të kryeneçësisë së Kryeministrit dhe pavendosmërisë së Presidentes! Kosova po kalon momente vendimtare e as ata e as ndjekësit e tyre, nuk janë duke e kuptuar rrezikun që paraqet izolimi nga aleatët perëndimorë dhe veprimet që janë përmbysje e gjithë asaj që është arritur deri më sot. Hezitimi që të pranohen sugjerimet e partnerëve tanë strategjikë, posaçërisht ShBA-së, në një situatë kaq vendimtare, mund të kenë pasoja të rënda për vendin. Kryeministri e ka momentin e fundit të heqë dorë nga kursi i mosveprimit e të kalojë në anën e duhur. Vetëm kështu, e të koordinuar me Amerikën dhe BE-në, fitohet beteja e finale me Serbinë. Është thirrja ime e fundit që Kryeministri dhe Presidentja të rreshtohen me aleatët dhe ta mbyllim njëherë e përgjithmonë marrëveshjen me njohje reciproke me Serbinë. Mos e përjashtoni veten nga ky proces!” – ka thënë Haradinaj.