Hyrja e një tjetër operatori me kosto të ulët në vend pritet që të rikthejë sërish çmimet e lira të biletave të avionëve.
Ryanair, një ndër kompanitë më të njohura low cost njoftoi se nga tetori do të nisë operimet e saj edhe nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, fillimisht me 18 destinacione, nga të cilat 9 destinacione të reja.
Ryanair është operatori i dytë low cost që hyn në tregun shqiptar pas Wizz Air. Ky i fundit ka disa vjet që operon në tregun shqiptar dhe fillimisht ofronte bileta mjaft të lira, edhe në 20 euro për një drejtim.
Por këtë vit, teksa Wizz e rriti ndjeshëm peshën e tregut, duke e çuar në 66% të totalit biletat u shtrenjtuan ndjeshëm dhe nën 100 euro mund të gjeje vetëm në disa destinacione të Italisë, kurse në gusht çmimet fluturuan deri në 450 euro vajtje-ardhje për destinacione si Spanja.
Por, hyrja e Ryanair nga nëntori ka rikthyer sërish biletat më të lira. Sipas një kërkimi të Monitor, në nëntor, kur fillon fluturimet Ryanair, ky i fundit ka bileta më të lira sesa Wizz në të njëjtën periudhë, duke dhënë sinjale të shtimit të konkurrencës, që mund të detyrojnë dhe Wizz të ulë sërish çmimet. Për Italinë diferenca në çmime është më e ulët, ndërsa në destinacione si Gjermania, Franca apo Anglia, Ryanair ëhstë shumë më i lirë në nëntor.
Për në Milano (Bergamo), në datat 4-7 nëntor, bileta vajtje-ardhje kushton 66 euro. Drejt këtij destinacioni do ketë dy fluturime në ditë.
Wizz për të njëjta data ofron bileta nga Tirana në Milano (Bergamo) për 30-60 euro vajtje dhe 30-35 euro kthim.
Për në Gjermani fillimisht Ryanair do fluturojë në Dusseldorf Weeze. Në datat 1 dhe 5 nëntor, bileta vajtje ardhje kushton rreth 70 euro. Wizz Air ofron më shumë destinacione drejt Gjermanisë, ku për shembull në Frankfurt për të njëjtat data bileta vajtje-ardhje kushton 130 euro, kurse për Hamburg 150 euro.
Në Paris (Beauvais), me Ryanair udhëtimi në datat 4-7 nëntor kushton rreth 80 euro vajtje-ardhje. Me Wizz Air, në të njëjtin aeroport, po nën nëntor bileta është shumë më e shtrenjtë, duke u luhatur në rreth 160 euro.
Për në Londër (Stansted), janë dy fluturime në ditë. Vajtja kushton 33-62 euro, ndërsa kthimi 29-39 euro. Me Wizz Air në London (Luton), po në nëntor, vajtja kushton nga 90-150 euro dhe kthimi 50 euro.
Wizz Air merr 66% të tregut, “dikton” çmimet
Wizz Air, kompania hungareze, që hyri si operator me kosto të ulët disa vjet më parë në tregun shqiptar, ka arritur të fitojë vazhdimisht treg, ndonëse tani nuk është më aq e lirë sa më parë, kur mund të gjeje shpesh bileta 20 euro në një drejtim, sidomos drejt Italisë.
Sipas të hënave nga Tirana International Airport, për periudhën janar-prill 2023, Wizz Air kishte 66% të tregut, duke dominuar dukshëm në një treg ku ka gjithsej 17 operatorë. Kjo rritje e peshës së tregut i ka dhënë mundësi këtij operatori të “dominojë” edhe mbi çmimet.
Operatori i dytë më i madh në treg është Air Albania, me 8%, i ndjekur nga Albaëings me 7%, Lufthansa me 4% dhe Austrian Airlines me 3%.
Sipas statistikave të INSTAT, fluksi i pasagjerëve nga dhe drejt Rinasit është rritur ndjeshëm këtë vit. Në tremujorin e parë 2023, kanë udhëtuar me linja ajrore 1.166.000 pasagjerë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ky tregues është rritur me 53,3%.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha se mbi 6 milionë presim të jetë numri i pasagjerëve të përpunuar gjatë 2023.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor