Republikanët, duke përfshirë disa rivalë për nominimin presidencial të vitit 2024, janë mbledhur me shpejtësi për të mbështetur Donald Trump, pas lajmeve për padinë ndaj ish-presidentit për disa akuza federale në lidhje me mbajtjen e tij të dokumenteve të klasifikuara.
Lajmi u bë i ditur nga vetë Trump në platformën e tij të mediave sociale Truth Social.
Kevin McCarthy, kryetari i Kongresit u ankua për ‘një ditë të zezë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës’ dhe tha: “Është e pandërgjegjshme që një president të padisë kandidatin kryesor që e kundërshton atë.”
Ish-presidenti është paditur nga Jack Smith, këshilltari special i emëruar nga Merrick Garland, prokurori i përgjithshëm i SHBA-së.
Duke thënë se ai ‘dhe çdo amerikan që beson në sundimin e ligjit qëndron me Presidentin Trump kundër kësaj padrejtësie të rëndë’, McCarthy premtoi se ‘do mbajë përgjegjës ata që përdorin pushtetin si armë në mënyrën më të pacipë ndaj rivalëve’.
Fushata e Trump nxori një listë me deklarata mbështetëse nga figura të larta partiake, duke përfshirë zëvendësin e McCarthy, Steve Scalise, guvernatorët Jim Justice të Virxhinias Perëndimore dhe Sarah Huckabee Sanders të Arkansas dhe një grup senatorësh amerikanë.
Jim Jordan nga Ohio, kryetar i komitetit gjyqësor të Kongresit, tha: “Ditë e trishtë për Amerikën. Zoti e bekoftë Presidentin Trump.”
Marjorie Taylor Greene, kongresmenia e fuqishme nga Georgja, tha se republikanët duhet ‘të ndalonin së luftuari njëri-tjetrin’, në mënyrë që të mund të luftonin me demokratët që arrestojnë rivvalët politikë.
McCarthy iu referua gjithashtu një hetimi për materiale të klasifikuara të gjetura në zyrat e mbajtura nga Biden pas largimit si zëvendëspresidenti në 2017. Një tjetër këshilltar special, Robert Hur, po merret me këtë çështje.