Nga Rezearta Çaushaj
Kam hallet e mia këto ditë, por nuk mund të mos shkruaj nja dy gjëra mbi lajmet në vend.
1.E vetmja arsye përse britanikja The Economist ka shkruar një artikull miklues për Shqipërinë e Ramën është sepse ky i fundit ka nënshkruar një kontratë për frenimin e emigracionit shqiptar, përshpejtimin e deportimeve dhe ekstradimin e të burgosurve, që është shumë e favorshme për Britaninë e Madhe.
Britania shpenzon shuma marramendëse për menaxhimin e emigracionit shqiptar e krimit që ai prodhon.
Tani i jep Ramës një 20 milion pound, një takim në 10 Downing Street e akolada në një media prestigjoze.
Nga ana tjetër, Rishi Sunak kursen para të madhe taksapaguesve, zgjidh probleme që shqetësojnë britanikët prej vitesh dhe fiton pikë në sondazhet elektorale.
2.Rama foli në mediat ndërkombëtare sikur i kishte zgjidhur një problem Brianisë, kur në fakt, ai është krijuesi i problemit në të dy vendet.
3.Të sqarojmë diçka: parë në mënyrë krejt racionale, nuk e urrej atë marrëveshje, por faktet e rrethanat duhen të thuhen të plota e të vendosen në kontekstin e duhur, se shoh media që po kalojnë në ekstazë duke shpërndarë, pa filtra, deklarata majtas e djathtas.
Shkurt puna, lajkat lartë e poshtë për Shqipërinë janë pjesë e marrëveshjes mes dy vendeve.
Kjo është e dukshme qyshkur “prestigjozja britanike” ka kopjuar artikujt në anglisht mbi kryeministrin eksentrik, basketbollist, që e lyeu Tiranën me ngjyra, por edhe nga fakti se duket sikur sapo e kanë zbuluar ekzistencën e tij, pas 10 vjetësh në pushtet.
Nëse dëgjojmë makinerinë propagandistike të Tiranës, duhet të fillojmë të besojmë se, perifrazoj: “Rama e ka riorganizuar partinë e tij sipas modelit të Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar”, se ashtu shkruan The Economist medemek.
Siç thonë andej nga xha Semi, matanë Adriatikut: CHILL!