Vendosni fjalën kyçe....

Analistët: Aktpadia nxjerr në pah rolin aktiv të ish-presidentit Trump lidhur me dokumentat të klasifikuara – VOA


 

Prokurorët amerikanë bënë publike aktpadinë prej 37 pikash kundër ish presidentit Donald Trump të premten duke e akuzuar ish-presidentin se kishte vënë në rrezik disa prej sekreteve më të ndjeshme të sigurisë të vendit pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021. Analistët thonë se ajo tregon se zoti Trump, i cili ka thënë se është i pafajshëm, pati një rol aktiv në fshehjen e dokumenteve nga autoritetet që donin t’i merrnin ato.

Sipas aktakuzës, ish-presidenti Donald Trump ka kryer shkelje në mënyrën se si ka trajtuar dokumente të klasifikuara që përfshinin informacione në lidhje me programin e fshehtë bërthamor të SHBA-së dhe pikat e dobëta të mundshme të vendit në rast të një sulmi.

“Ligjet tona që mbrojnë informacionin e sigurisë kombëtare janë kritike për sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe ato duhet të zbatohen”, tha në një konferencë shtypi prokurori i posaçëm Jack Smith, i cili po e udhëheqë hetimin kundër ish presidentit.

Studiuesi ligjor Craig Green, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit Temple në Pensilvani, tha se dokumentet e akuzës zbuluan se ish-presidenti pati një rol aktiv në fshehjen e dokumenteve nga autoritetet që po përpiqeshin t’i merrnin ato.

“Ka shumë detaje lidhur me kohën e zhvendosjes së kutive të veçanta nga njëri vend në tjetrin. Mendoj se befasia më e madhe për mua është shkalla në të cilën zoti Trump ishte i përfshirë personalisht në zhvendosjen e kutive të ndryshme në periudha të ndryshme”, thotë zoti Green.

Eksperti Green tha se kjo mund të ndihmojë prokurorët të bindin jurinë se zoti Trump provoi në mënyrë të paligjshme të fshehë ato dokumente të ndjeshme.

Pyetjet nëse fshehja e dokumenteve ishte e qëllimshme bëhen shumë të rëndësishme. Sa më afër dhe më i interesuar të ketë qenë Trump për vendndodhjen dhe kutitë, aq më e vështirë është për të që të argumentojë se ishte thjesht një gabim. Duket shumë qartë se ai ishte personalisht i përfshirë, se kishte shumë rol për vendndodhjen e kutive. Pastaj ka shumë sugjerime se ai e dinte mjaft mirë se brenda kutive kishte dokumente dhe informacione të mbrojtjes kombëtare”, thotë eksperti ligjor, Craig Green.

Ish presidenti Trump diskutoi gjithashtu me avokatët e tij mundësinë për të gënjyer zyrtarët e qeverisë që kërkonin të gjenin dokumentet duke fshehur disa kuti brenda një tualeti dhe duke lëvizur kuti të tjera në pjesë të tjera të shtëpisë së tij Mar-a-Lago në Florida, për të parandaluar gjetjen e tyre, thuhet në aktpadi.

“A nuk do të ishte më mirë sikur t’u thoshim se nuk kemi asgjë këtu?”, i tha ish-presidenti Trump tha njërit prej avokatëve të tij, – prej 49 faqesh.

Bërja publike e paautorizuar e dokumenteve të klasifikuara përbën rrezik për sigurinë kombëtare, marrëdhëniet me jashtë dhe mbledhjen e informacioneve nga Shtetet e Bashkuara, thuhet në aktpadi.

Teorikisht, nëse dënohet, ish-presidenti Trump mund të vuajë dekada në burg, por analistët ligjorë thanë se një gjykatës federal ka liri të madhe veprimi dhe mund të vendosë një dënim shumë më të lehtë, veçanërisht nëse zoti Trump arrin një marrëveshje me prokurorët jashtë gjyqit, në këmbim të pranimit të fajësisë.

“Mbi 90% e të gjitha rasteve federale përfundojnë me marrëveshje duke e pranuar fajin. Janë zakonisht nga 2 deri në 3% e rasteve federale që shkojnë në gjyq. Zakonisht, një i pandehur federal do të marrë një dënim shumë më të ulët duke e pranuar fajësinë. Nga ana tjetër, nëse nuk pranon fajësinë dhe shkon në gjyq dhe gënjen, mund të marrësh një dënim më të lartë. Në shumë raste, sidomos në rastet e zyrtarëve ose njerëzve me pozitë, ata e kanë shumë më të vështirë ta pranojnë që kanë bërë diçka gabim dhe të pranojnë me vullnetin e tyre që të përballen me pasojat. Unë mendoj se ish-presidenti do ta ketë tejet të vështirë ta pranojë një gjë të tillë”, thotë ish prokurorja federale, Jennifer Beidel.

Zoti Trump ka thënë se është i pafajshëm dhe nuk ka dhënë asnjë shenjë se do që të negociojë një marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorët. Ai dhe aleatët e tij e kanë portretizuar rastin si hakmarrje politike nga presidenti demokrat Joe Biden.

Shtëpia e Bardhë tha se zoti Biden nuk kishte njohuri paraprake për aktpadinë dhe më pas ai nuk pranoi të komentonte kur gazetarët e pyetën për këtë.

Aktpadia kundër një ish-presidenti me akuza federale është e paprecedentë në historinë amerikane dhe vjen në një kohë kur zoti Trump është kandidati kryesor për të siguruar emërimin e partisë republikane.

Eksperti ligjor për çështjen e mbrojtjes së sigurisë kombëtare Mark Zaid tha se kundërshtimi i akuzave në një proces gjyqësor mund të jetë strategjia më e mirë për zotin Trump.

Zoti Trump po e përdor këtë si një mënyrë për të mbledhur fonde dhe për të forcuar fushatën e tij politike. Nga pikëpamja politiko-strategjike dhe ligjore, kjo nuk është strategji e keqe: ta ngresh zërin sa më shumë për të rritur shanset për të fituar presidencën sepse marrja e presidencës do të thotë që këto akuza federale zhduken. Si President i Shteteve të Bashkuara, ai mund të udhëzojë Departamentin e Drejtësisë që të pezullojnë akuzat kundër tij. Nëse ai do të ishte dënuar deri në atë moment, ai të paktën mund të provonte të falte veten, që është një çështje kushtetuese plotësisht e hapur, sepse ne nuk jemi përballur kurrë me një gjë të tillë”, thotë Mark Zaid, ekspert ligjor për çështjet e sigurisë kombëtare.

Zoti Trump do të paraqitet për herë të parë në gjykatë në Miami të martën më 13 qershor, një ditë para ditëlindjes së tij të 77-të./VOA