Vendosni fjalën kyçe....

Pse Edi Rama i gëlltit si kokoshka kritikët (ose një vëzhgim mbi draftet e Soros)


Nga Habjon Hasani

Më datën 5 Maj të vitit 2019, publikuam ekskluzivisht në Hashtag një raport të Fondacionit Soros Dega-Beograd (lexoje këtu), dokument i cili vërtetonte katërcipërisht rolin e këtij fondacioni në konceptimin dhe zbatimin e asaj që asokohe njihej si projekti i ndarjes territoriale të Kosovës. Me pikë nevralgjike Trepçën.

Nuk e prisja që pak më vonë të sulmoheshim me një gjuhë të ashpër dhe irracionale nga kreu i Soros në Kosovë asokohe, njëfarë Luan Shllaku, i cili kaloi të gjitha pritshmëritë e mia dhe na bëri nder të madh pasi zgjodhi ofezën ndaj portalit tonë në vend të ndonjë argumenti logjik. Sigurisht që ju përgjigjëm Shllakut në mënyrë të ftohtë dhe profesionale (lexoje këtu përgjigjen), të cilin sot më duhet ta falenderoj, sepse pa atë lloj reagimi që ai bëri, nuk do e kisha kuptuar dot kurrë përmasën e shqetësimit dhe revoltës që shkaktoi në Fondacionin Soros publikimi ynë.

Pjesa dërrmuese e mediave të Tiranës që sot bëjnë si kritizere të Ramës dhe avokatë të Kurtit, asokohe refuzuan të publikonin implikimet e Soros me këtë plan, i vetmi faktor me peshë që i kushtoi rëndësi këtij publikimi ishte Sali Berisha.  

Së fundmi Edi Rama ka dorëzuar një tjetër propozim për zgjidhje segmentare të konfliktit Prishtinë-Beograd, propozim ky sërish i vagullt dhe ende i pazbardhur, I kyçur.

Njësitë propagandistike të Ramës kanë theksuar disa opinione të ardhura nga  zyrtarë të Brukselit që e kanë lexuar, sipas të cilëve ky raport dhe ky propozim i dorëzuar nga Rama është shumë serioz.

Vet Rama deklaroi se ekspertët më të mirë në nivel botëror janë angazhuar në hartimin e këtij dokumenti, çka do të thotë automatikisht se hartuesit e raportit nuk janë nga stafi qeveritar i Edi Ramës, por nga ekspertë ose të Departamentit të Shtetit, ose të Fondacionit Soros, ose të dy sëbashku.

Për sa kohë kam zero informacion mbi premisat ose konceptet e këtij dokumenti, nuk marr fare përsipër ta komentoj dhe nuk kam asnjë arsye për të përjashtuar mundësinë se ky mund të jetë vërtetë një dokument serioz dhe cilësor.

E megjithatë, ky mund të jetë një dokument serioz, ama për momentin mbetet një dokument konspirativ, i kyçur, njësoj me atë dokumentin e vitit 2018 të Fondacionit, i cili dhe pse ishte tabani i ecejakeve 3-vjeçare Vuçiç-Thaçi-Rama, mbetej i lënë qëllimisht në hije për të mbajtur sa më “low profile” rolin e Fondacionit Soros në atë nismë.

Duke mos njohur propozimin e dorëzuar nga Rama në kancelaritë evropiane, duke patur në dispozicion vetëm disa deklarata publike përfaqësuesish amerikanë kritikë me Kurtin, e duke parë mobilizimin e kulisës shqiptare ku palët kanë nxjerrë thikat për të goditur politikisht njëri-tjetrin për inate të fshatit, i gjithë debati ka degraduar në një nivel të personalizuar individësh, Rama dhe Kurti, Kurti dhe Rama.

Ky terren i debatit të personalizuar është pikërisht ajo çfarë dëshiron Edi Rama (ndoshta dhe Albini bashkë me të), për sa kohë këto plane që lidhen me politikën e jashtme të vendit dhe gjeopolitikën e rajonit, interpretohen në nivelin “Rama bën ça i thonë amerikanët mirëpo Albini nuk tutet” ose dhe më keq akoma me akuza të propagandës së Ramës që e akuzojnë padrejtësisht Albin Kurtin deri dhe për anti-amerikanizëm.

Është një cikël i tërë akuzash të rënda nga të dyja palët shqiptare kundër njëra-tjetrës që është konsumuar në 72 orë, ku akuzohen për tradhëtarë e vasalë me njëri tjetrin, dy palë që në fakt gjenezën e tyre e kanë në të njëjtin Fondacion.

Gjeneza e OTPOR

Nëse takati dhe lidhjet e Edi Ramës me Fondacionin Soros nuk kanë nevojë për shumë komente, ndoshta vlen të thuhet se Albin Kurti është po aq sa Edi Rama një krijesë sorosiane dhe e inteligjencës së SHBA-ve.

Organizata nga e cila Kurti nisi lëvizjen e tij në vitin 2002 ishte pjesë e një projekti të CIA-s të cilit i dihen sot dhe ideologët dhe zbatuesit. Ky është informacion krejt i hapur dhe mjafton ta kesh telefonin me internet dhe e zbulon menjëherë.

Projekti për rajonin tonë ishte me qendër në Beograd dhe quhej OTPOR, organizata bija të tij ishin “Vetvendosje” në Prishtinë dhe “MJAFT” në Tiranë.

Është një projekt mbarëbotëror i inteligjencës së SHBA-ve për të promovuar “liderët e butë”, pas epokës prej kaubojsi të Bushëve që goditi imazhin e SHBA-ve si vend pushtues dhe agresor.  

Projektin në fjalë e ka konceptuar dhe hartuar profesori i Havardit Gene Sharp, ndërsa e ka vënë në zbatim, një kuadro i lartë i CIA-s i quajtur Robert Helvey.

Ky është informacion plotësisht i aksesueshëm online në disa libra dhe dokumente e transkipte zyrtare, një sekret i hapur.

Në këto kushte, Albin Kurti mund të akuzohet për çdo gjë, përveçse si antiamerikan, ai është një krijesë e pastër e amerikanëve, të cilin e kanë marrë që në embrion dhe e kanë mbështetur për t’u bërë ky që është bërë sot.

Nga gjithë elita politike e Prishtinës dhe Tiranës, Albin Kurti është i vetmi që mund të krahasohet me Edi Ramën për aksesin direkt dhe takatin e madh që ka në kupolën e Fondacionit Soros apo dhe në strukturat e dukshme dhe të padukshme të perandorisë amerikane.

Nga ana tjetër ai ka një avantazh më shumë se Rama, operon me ideologji, ndërsa tarafi dhe rrethi i tij shoqëror e institucional qëndron shumë larg skemave të punës me oligarkë apo të favorizimit të strukturuar të tarafit politik.

Ky element sigurisht që i jep atij një dimension që Rama e ka humbur dhe ndoshta e bën dhe më të lirë në raport me mënyrën si ndërvepron me SHBA-të apo me vet Fondacionin Soros.

Sikundër, i njëjti Albin Kurti, futi hundët në punët e Tiranës me protestat studentore të vitit 2018 dhe i mëshoi krijimit të një dege të lëvizjes “Vetvendosje” në Tiranë, nëpërmjet një nisme që mund ta ketë zemëruar me të drejtë Ramën, e që me gjasë ka qenë lëvizje e papjekur e Kurtit, një aventurë e pakëndshme.

Dy kaposhë në një derë

Duke qenë se gjeneza dhe takatet respektive të Ramës dhe Kurtit bashkohen në pikën e Fondacionit Soros, jo vetëm që nuk bëhet fjalë për dy liderë që luajnë në terrene të ndryshme, por të dhënat sugjerojnë se kemi të bëjmë me dy kaposhë që “kakarisin” në derën e të njëjtit Fondacion.

Themeluesi i Fondacionit, George Soros, revolucionarizoi financën ndërkombëtare duke futur konceptin e “teorisë së kaosit”. I njëjti mogul financiar bënte dhe spekulatin në bursë por edhe filantropin me paratë e fituara nga spekulimi.

Teoria e kaosit është thelbi i doktrinës operative të atij Fondacioni, kështuqë fakti që Rama dhe Kurti janë kaq antagonist me njëri-tjetrin, por ndërkohë janë dhe dy gjela në derën e të njëjtit Fondacion, nuk përbën aspak paradoks, madje është plotësisht në linjën e teorisë së kaosit që aplikon ky Fondacion.

Si të tillë të dy ata janë përfitues për sa kohë debati mbetet i personalizuar mes tyre, por ndoshta është Edi Rama ai që i ka më përzemër fushatat kritike të personalizuara ndaj tij.

Sepse sa më shumë që kritika fokusohet në aspekte estetike të sjelljes së Ramës me amerikanët, Kurtin apo Vuçiçin, aq më shumë Edi Rama i shmanget disa përgjegjësive elementare, e bashkë me të edhe Kurti.

Fjala vjen, si mundet që kryeministri i vendit tonë të dorëzojë një dokument në kancelaritë franceze apo gjermane, ndërsa ne nuk kemi asnjë haber mbi qëndrimin e politikës së jashtme të shtetit tonë në lidhje me problemin.

Po e thjeshtoj duke i renditur në formë pyetjesh ato që do duhej të ishin bazat e debatit.

Cila është doktrina e politikës sonë të Jashtme mbi zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës?

Çfarë qëndrimi/strategjie ka qeveria shqiptare sa i takon çështjes së territoreve në veri të Kosovës, cilët janë skenarët pesimistë dhe optimist dhe cila është rruga që do të zgjedhë?

Si është koordinuar dhe sinkronizuar politika e jashtme e shtetit tonë me atë të Kosovës sa i takon këtyre çështjeve?

Në çdo shtet normal këto do ishin pyetjet themelore, shijen e të cilave do e jepnin në studio televizive, ose analiza profesionale diplomatë ose ekspertë të sigurisë e politikës së jashtme.

Por sa herë që veriu i Kosovës përfshihet në skenarë dhune ose zgjidhjesh alternative, papritmas në Tiranë dhe Prishtinë mediat përfshihen nga ajo që quhet “teoria e kaosit”, duke shmangur aspektin më themelor në këtë histori:

Ne çfarë duam dhe si do e arrijmë?

Nëse nuk jemi në gjendje të hartojmë të tilla doktrina për politikën e Jashtme, atëherë pse duhet të ankohemi për zgjidhjet që jep një Fondacion i patentuar nga perandoria amerikane?

Dhe nëse do ankohemi, si do e bëjme këtë gjë? Do na e hartojnë ekspertët e Fondacionit dhe formatin e ankesës?

Çdo debat jashtë këtyre kontureve që lidhen me rolin e Ramës dhe Kurtit si udhëheqës të dy shteteve të një kombi, është një debat i personalizuar, një konsum kaotik i fshatit tonë dhe nëse për Albin Kurtin mund të kem ndonjë dyshim, për Ramën nuk kam asnjë mëdyshje se ai dëshiron pikërisht që debati të personalizohet ndërmjet dy gjelave dhe jo ndërmjet dy udhëheqësve shtetërorë.

Është terreni i tij i preferuar, sepse ka garanci absolute se në këtë terren të personalizuar ai i shqyen si kofshë bretkosash, i gëlltit si kokoshka të gjithë kritikët e tij. / Hashtag.al