Policia ka arrestuar 55-vjeçarin që qëlloi me armë zjarri në ajër, pasi u konfliktua fizikisht me një 25-vjeçar, për motive të dobëta.
Në pranga edhe 25-vjeçari, pasi nuk kallëzoi rrethanat e konfliktit.
Atij ju sekuestrua arma e zjarrit pistoletë me të cilën u qëllua në ajër dhe një armë gjahu gjysmë-automatike.
U procedua penalisht vëllai i 55-vjeçarit, për posedimin pa leje të armës së gjahut.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen “30-vjetori”, ishte qëlluar me armë zjarri në ajër, pas një konflikti midis 2 shtetasve, kanë organizuar punën për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, si dhe për arrestimin e përgjegjësve.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale procedurale, në kohë rekord, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Berat, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit I. M., 55 vjeç, banues në Berat, i cili dyshohet se rreth orës 12:00, të datës 09.06.2023, pas një konflikti për motive të dobëta, me shtetasin E. M., ka qëlluar me armë zjarri në ajër.
Gjithashtu, për këtë rast u arrestua edhe shtetasi E. M., 25 vjeç, banues në Berat, sepse pas konfliktit, u largua, dhe nuk dha sqarime për rastin.
Në vijim, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Sh. M., 49 vjeç (vëllai i shtetasit I. M.), pasi gjatë kontrollit në banesë, iu gjet një armë gjahu gjysmë-automatike, të cilën e posedonte pa leje.
Kjo armë gjahu u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me armën e zjarrit pistoletë me të cilën shtetasi I. M. dyshohet se qëlloi në ajër.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.