Vendosni fjalën kyçe....

14 viktima nga zjarret në Kazakistan, shirat e dendur shkaktojnë 20 viktima në Pakistan


Numri i të vdekurve nga zjarret e mëdha pyjore në rajonin lindor Abai të Kazakistanit është rritur në 14, sipas raporteve të mediave lokale të shtunën.

“Trupat e 11 personave të tjerë u gjetën gjatë operacioneve të kërkimit”, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Kazinform duke cituar Ministrinë e Situatave të Emergjencave të vendit.

Identiteti i viktimave është duke u përcaktuar, shtoi agjencia.

Më parë, ekipet e kërkimit dhe shpëtimit gjetën trupat e tre punonjësve të pyllit dhe po kërkonin 11 të tjerë në zjarrin prej 60,000 hektarësh.

Ministria tha në një deklaratë se më shumë se 600 personel, gjashtë helikopterë dhe 168 pajisje janë të përfshirë në përpjekjet për shuarjen e zjarrit. Zjarret kanë ndodhur për shkak të motit të thatë dhe të nxehtë.

Në Pakistan të paktën 20 njerëz vdiqën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pas shirave të dendur që goditën rajonin veriperëndimor të shtunën në mbrëmje, thanë autoritetet.

“Deri më tani 20 persona kanë vdekur dhe mbi 80 të tjerë janë plagosur në pjesë të ndryshme të provincës Khyber Pakhtunkhëa, por numri i të vdekurve mund të rritet”, tha Bilal Faizi, një zëdhënës i shërbimit të shpëtimit emergjent Rescue 1122, për Anadolu përmes telefonit.

Faizi tha se 12 njerëz vdiqën në rrethet e Bannu, katër në Karak, tre në Lakki Marëat dhe një në Dera Ismail Khan.

“Shumica e viktimave janë shkaktuar nga shembja e mureve dhe çatisë në këto zona”, tha ai.