Vendosni fjalën kyçe....

Asgjësohen 583 fidanë kanabis në Vaun e Dejës, pranga 2 të rinjve në Lezhë, akuzohen për shitje droge


583 fidanë të dyshuar kanabis janë shkatërruar në Vaun e Dejës në operacionin e koduar ‘Mnela’. Sipas policisë, pronari i dyshuar i sasisë së kanabisit është identifikuar e shpallur në kërkim.

Bëhet fjalë për një person me iniciale N.Gj. banues në Lezhë. Lidhur me rastin është proceduar në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit Mnelë e Vogël, P.Gj.

Në Lezhë janë arrestuar dy të rinj nga Tirana, të cilët akuzohen për shitje kokaine e kanabis në Shëngjin.

Në pranga kanë rënë 22-vjeçari S.T. e 23-vjeçarja K.B. Në gjendje të lirë janë proceduar 36-vjeçari A.P. banues në Lezhë, 22-vjeçari M.M. banues në Ishull Shëngjin e 25-vjeçari F.G. banues në Kosovë.

 Njoftimi

“Vau i Dejës/Vijojnë kontrollet nga toka, me patrulla këmbësore dhe nga ajri, nëpërmjet dronëve të Policisë, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Finalizohet operacioni policor antikanabis i koduar “Mnela”. Si rezultat i kontrolleve, bazuar dhe në inteligjencën informative, është evidentuar dhe goditur një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike. Evidentohen në fshatin Mnelë e Vogël dhe asgjësohen nëpërmjet djegies, 583 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i kultivimit të këtyre fidanëve. Procedohet penalisht kryeplaku i fshatit Mnelë e Vogël, për shpërdorim të detyrës. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në vijim të kontrolleve të ushtruara  nga toka dhe nga ajri, me dronë të Policisë,  bazuar dhe në inteligjencën policore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Mnela”, kanë konstatuar në fshatin Mnelë e Vogël, 583 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, të cilët u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa një pjesë e vogël e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Nga veprimet e shpejta hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar të këtij rasti kultivimi, konkretisht të shtetasit N. Gj., banues në Lezhë. Vijon puna për kapjen e tij. Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin P. Gj., kryeplak i fshatit Mnelë e Vogël, Vau i Dejës. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.”

Njoftimi

“Goditen raste të shpërndarjes së dozave të drogave të forta dhe të kanabisit në Shëngjin, arrestohen 2 shtetas dhe procedohen penalisht 3 të tjerë, të cilët merreshin me këtë veprimtari kriminale. Sekuestrohen sasi të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis, të ndara në doza të gatshme për shitje. Struktura për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me atë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të kësaj drejtorie, si rezultat i shtimit të shërbimeve në Shëngjin, për të intensifikuar kontrollet kundër paligjshmërive, gjatë të gjithë sezonit veror, si dhe në zbatim të porosive të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për vigjilencë të shtuar gjatë gjithë kësaj periudhe, kanë organizuar dhe finalizuar, mbështetur edhe në inteligjencën informative, operacionin policor të koduar “Shëtitorja”. Si rezultat i këtij operacioni u konstatuan dhe u goditën raste të shpërndarjes në doza, të kokainës dhe kanabisit, në qytetin bregdetar të Shëngjinit.

Për këto raste u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit S. T., 22 vjeç dhe K. B., 23 vjeçe, të dy banues në Tiranë, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. P., 36 vjeç, banues në Lezhë, M. M., 22 vjeç, banues në Ishull Shëngjin dhe F. G., 25 vjeç, banues në Kosovë.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në automjetin e në banesën 2 të arrestuarve, si dhe fizikisht ndaj 5 shtetasve, iu gjetën dhe iu sekuestruan sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, të ndara në doza, të cilat dyshohet se posedoheshin me qëllim shitjen. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.”