Vendosni fjalën kyçe....

Escobar e bën të qartë: Albin Kurti partneri ynë, edhe pse bashkëpunëtor i vështirë


I dërguari special amerikan për Ballkanin perëndimor, Gabriel Escobar, e ka quajtur kryeministrin e Kosovës Albin Kurti ‘partner të SHBA-së edhe pse ndonjëherë bashkëpunëtor i vështirë’.

Në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi i Evropës Juglindore, zyrtari amerikan theksoi se Kosova është dhe vijon të jetë partner i SHBA-së.

“Më duhet ta bëj të qartë. Albin Kurti është partneri ynë. Ai ndonjëherë është një bashkëpunëtor i vështirë, por ai mbetet një partner. Kosova është partneri ynë. Në të ardhmen, ne duam t’i shfrytëzojmë marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën, t’i përmirësojmë e marrëdhëniet me Serbinë”, ka theksuar Escobar.

Deklarata e Escobar vjen pak ditë pas raportimeve mediatike se Albin Kurti mund të shpallej ‘non grata’ për shkak të tensioneve në veri të vendit.

Esobar shtoi më tej se nëse Uashingtoni do kishte ndonjë rol në vendimmarrje sa i përket integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian, atëherë i gjithë rajoni do ishte brenda BE-së deri në vitin 2030.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të avokojnë për përparimin e Ballkanit Perëndimor dhe ta shohin atë si një zonë me mundësi të jashtëzakonshme që duhet të integrohet plotësisht në Bashkimin Evropian”, u shpreh Escobar.