Presidenti Joe Biden dyshohet se është paguar 5 milionë dollarë nga një ekzekutiv i firmës ukrainase të gazit natyror ‘Burisma Holdings’, ku djali i tij Hunter Biden ishte anëtar bordi, i tha një burim njerëzor konfidencial FBI-së gjatë një interviste të qershorit 2020, thanë burime të njohura për Fox News.
Burimet informuan Fox News Digital mbi përmbajtjen e formularit FD-1023 të prodhuar nga FBI-ja që pretendon një skemë kriminale të ryshfetit mes zv. presidentit të atëhershëm Joe Biden dhe një shtetasi të huaj që përfshinte ndikim mbi vendimet e politikës së SHBA-së.
Formulari FD-1023, i datës 30 qershor 2020, është intervista e FBI-së me një burim konfidencial ‘shumë të besueshëm’, i cili dha hollësi për takime dhe biseda të shumta që ai ose ajo pati me një ekzekutiv të lartë të ‘Burisma’ gjatë disa viteve, duke filluar nga viti 2015. Fox News Digital nuk e ka parë formularin, por ai është përshkruar nga disa burime që janë në dijeni të përmbajtjes së tij.
Një formular FD-1023 përdoret nga agjentët e FBI-së për të regjistruar raportime të paverifikuara nga burime njerëzore konfidenciale. Formulari përdoret për të dokumentuar informacionin siç i është thënë një agjenti të FBI-së, por regjistrimi i atij informacioni nuk e vërteton osepeshon atë me informacione të tjera të njohura nga FBI-ja.
Ekzekutivi i ‘Burisma’ kërkoi këshillën e burimit konfidencial, një profesionist biznesi, për të fituar të drejtat e naftës në SHBA dhe për t’u përfshirë me një kompani amerikane të naftës, thanë burimet e njohura me dokumentin. Ekzekutivi i ‘Burisma’ po fliste me burimin konfidencial për të ‘marrë këshilla për mënyrën më të mirë për të ecur përpara’ në 2015 dhe 2016.
Sipas formularit FD-1023, burimi njerëzor konfidencial tha se ekzekutivi i Burisma diskutoi rolin e Hunter Biden në bord. Burimi njerëzor konfidencial vuri në pikëpyetje pse ekzekutivi i ‘Burisma’ kishte nevojë për këshillën e tij ose të saj për të pasur qasje në naftën e SHBA-së nëse ai kishte Hunter Biden në bord. Ekzekutivi i ‘Burisma’ u përgjigj duke iu referuar Hunter Biden si ‘memec’.
Ai i shpjegoi burimit konfidencial se Burisma duhej të ‘paguante Joe Biden e të birin’ sepse prokurori ukrainas Viktor Shokin po hetonte ‘Burisma’ dhe shpjegoi se sa e vështirë do ishte të hynte në tregun amerikan në mes të atij hetimi.
Burimi konfidencial dha më shumë hollësi për atë bisedë, duke i sugjeruar ekzekutivit të Burisma që ai ‘të paguajë Joe Biden e Hunter Biden nga 50,000 dollarë secili’, për të cilën ekzekutivi i ‘Burisma’ u përgjigj, ‘nuk janë 50,000 dollarë’, janë ‘5 milionë të tilla’.
“5 milionë dollarë për një Biden, 5 milionë dollarë për Bidenin tjetër,” i tha ekzekutivi i Burisma burimit njerëzor konfidencial, sipas një burimi të njohur me dokumentin.
Një burim i njohur tha se sipas dokumentit, pagesat prej 5 milionë dollarësh duket se i referohen një lloj ‘garancie’ që synon të paguajë Joe e Hunter Biden për t’u marrë me një sërë çështjesh, duke përfshirë hetimin e udhëhequr nga Shokin. Një burim tjetër iu referua marrëveshjes si një skemë ‘paguaj që të marrësh shërbim’.
Burime të njohura i thanë Fox News Digital se burimi njerëzor konfidencial beson se pagesa prej 5 milionë dollarësh për Joe Biden dhe 5 milionë dollarë për Hunter Biden ka ndodhur, bazuar në bisedat e tij ose të saj me ekzekutivin e ‘Burisma’.
Burimi konfidencial tha se ekzekutivi i ‘Burisma’ i tha atij se ai ‘pagoi’ Joe e Hunter Biden në një mënyrë të tillë ‘përmes kaq shumë llogarive bankare të ndryshme’ sa hetuesit nuk do të ishin në gjendje ta ‘zbulonin këtë për të paktën 10 vjet’.
Dokumenti më pas i referohet ‘Big Guy’, i cili, thuhet se është një referencë për Joe Biden.
Ekzekutivi i Burisma i tha burimit konfidencial se ai ‘nuk e ka paguar Big Guy direkt’.
Fox News Digital ka mësuar se burimi njerëzor konfidencial është përdorur nga FBI si një burim i rregullt dhe i besueshëm informacioni që nga viti 2010 dhe është paguar afërsisht 200,000 dollarë nga byroja.
Burimet thanë se ekzekutivi i Burisma duket të jetë në një ‘nivel shumë, shumë të lartë’ të kompanisë. Një burim i njohur sugjeroi se burimi konfidencial mund t’i referohej kreut të Burisma, Mykola Zlochevsky, por tha se emri i ekzekutivit të ‘Burisma’ është redaktuar në dokument.
Biden e ka pranuar se kur ishte zv. president, ai me sukses i bëri presion Ukrainës që të shkarkonte prokurorin Viktor Shokin. Në atë kohë, Shokin po hetonte ‘Burisma Holdings’, dhe në atë kohë, Hunter kishte një rol shumë fitimprurës në bord duke marrë mijëra dollarë në muaj. Zv.presidenti i atëhershëm kërcënoi se do ndalonte 1 miliard dollarë ndihmë të rëndësishme nga ana e SHBA-së nëse Shokin nuk pushohej nga puna.
“Unë thashë, ‘Nuk do e marrësh miliardin. Unë do iki’, mendoj se ishin rreth gjashtë orë. I shikova dhe thashë: ‘Unë do të iki për gjashtë orë. Prokurori nuk shkarkohet, ju nuk merrni paratë”, kujtoi Biden t’i ketë thënë presidentit të atëhershëm ukrainas Petro Poroshenko. Biden e kujtoi bisedën gjatë një ngjarjeje për Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë në 2018.
“Epo, ai biri i kurvës, u pushua nga puna”, tha Biden gjatë ngjarjes. “Dhe ata vendosën në detyrë dikë që ishte i përshtatshëm në atë kohë.”
Aleatët e Biden thonë se zëvendëspresidenti i atëhershëm shtyu për shkarkimin e Shokinit për shkak të shqetësimeve se prokurori ukrainas e kishte lehtësuar korrupsionin dhe thonë se shkarkimi i tij, në atë kohë, ishte qëndrimi i politikës së SHBA-së dhe komunitetit ndërkombëtar.
Në vitin 2019, presidenti i atëhershëm Donald Trump, i bëri presion presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy për të nisur hetime mbi veprimet dhe marrëdhëniet e biznesit të familjes Biden në Ukrainë, veçanërisht sipërmarrjet e Hunter Biden me firmën ukrainase të gazit natyror ‘Burisma Holdings’ dhe përpjekjet e suksesshme të Joe Biden për të shkarkuar Shokin-in.
Kërkesa e Trump u konsiderua nga demokratët si një parakusht që miliona dollarë ndihmë ushtarake amerikane për Ukrainën të zhbllokoheshin. Demokratët gjithashtu pretenduan se Trump po ndërhynte në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 duke i kërkuar një lideri të huaj që të shqyrtojë një kundërshtar politik demokrat.
Trump u fajësua më vonë nga Kongresi për abuzim me pushtetin dhe pengim të Kongresit. Senati votoi për lirimin nga akuzat në shkurt 2020.
Burimi konfidencial, sipas burimeve të njohura me formularin FD-1023, i tha ekzekutivit të Burisma se ai duhet të ‘largohej’ nga Joe e Hunter Biden dhe tha se ekzekutivi ‘nuk dëshiron të përfshihet’ me ta.
Një burim i njohur me dokumentin i tha Fox News Digital se burimi njerëzor konfidencial vazhdoi të japë hollësi mbi një bisedë të mëvonshme me ekzekutivin e Burisma pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Burimi konfidencial e pyeti ekzekutivin e Burisma nëse ishte ‘i mërzitur’ që Donald Trump fitoi.
Burimi tha se ekzekutivi i Burisma i tha burimit konfidencial se ai ishte ‘një orakull’, duke iu referuar këshillës së tij ose të saj për t’u ‘larguar’ nga Joe e Hunter Biden për shkak të frikës së hetimeve të mundshme në marrëdhëniet e tyre.
Komiteti i Mbikëqyrjes së Kongresit kishte thirrur FBI-në për dokumentin FD-1023. Pas një përplasjeje mes komitetit dhe byrosë, dhe mes kërcënimeve për mbajtjen e drejtorit të FBI-së Christopher Wray në shpërfillje të Kongresit, FBI i lejoi të gjithë anëtarët e komitetit të shikonin dokumentin në një mjedis të sigurt në Capitol Hill.
Zbulimet e dokumentit erdhën pasi një sinjalizues iu afrua Senatorit republikan Chuck Grassley (Iowa) dhe Kryetarit të Komitetit Mbikëqyrës të Kongresit, James Comer. Sinjalizuesi tha se FBI kishte një dokument – formularin FD-1023 datë 30 qershor 2020.
Shtëpia e Bardhë ka pohuar se Presidenti Biden nuk ka qenë kurrë i përfshirë në marrëdhëniet e biznesit të djalit të tij dhe asnjëherë nuk i ka diskutuar ato me të.
Hunter Biden është aktualisht nën hetime federale për ‘çështjet e tij tatimore’. Hetimi filloi në vitin 2018 dhe u nxit nga transaksione të dyshimta me jashtë.
Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë, duke vënë në dukje një deklaratë të Joe Biden të enjten që i quajti akuzat ‘një mori idiotësish keadashëse’.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Fox News