Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave Arlind Gjokutaj është marrë zyrtarisht i pandehur nga prokuroria e Tiranës.
Ai akuzohet për shpërdorim detyre.
Për të njëjtën dosje, Ilir Thana është akuzuar për mashtrim me pasoja të rënda ndërsa përmbaruesi Alban Ruli është akuzuar për shpërdorim detyre dhe kryerje të veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës.
Tre personat e lartpërmendur u arrestuan pasi akuzohen se firmosën dokumente për t’i kaluar 1.2 milionë euro kompensim qytetarit Ilir Thana, të cilin e trajtuan si ish-pronar, pa qenë i tillë.
Ilir Thana mori përmes bankës vetëm 400 mijë euro dhe pjesa tjetër e parave do t’i kalonte në muajt në vijim.
Gjithçka u bë për një magazinë që shteti ia shiti Thanës në 1992-shin, por Komisioni i Kthimit të Pronave ia mori 3 vite më vonë për t’ia kaluar pronarëve të vërtetë, duke dëmshpërblyer me këste Ilir Thanën me vlerën e pronës sipas çmimit të tregut.