Vendosni fjalën kyçe....

Shtohen sulmet misterioze të orkave ndaj anijeve, përdorin për herë të parë taktikën ekstreme


Një grup orkash së fundmi thyen timonin e një barke me vela pranë Gjibraltarit përpara se të ndiqte anijen ndërsa ajo tërhiqej në port. Sulmi ishte një nga 18 të tillët në muajin maj në brigjet jugore të Spanjës, por është rasti i parë i regjistruar i orkave që ndjekin një varkë edhe pasi e dëmtojnë atë.

Duke ofruar një rrëfim të dorës së parë të incidentit, marinarja April Boyes shkroi në një postim në blog se ajo dhe shokët e saj të ekuipazhit i panë për herë të parë orkat në orën 21:30 të 24 majit ndërsa kalonin ngushticën e Gjibraltarit. Duke shpresuar se grupi thjesht do largohej, ekuipazhi fiku motorin dhe u përpoq të largonte vëmendjen e kafshëve duke hedhur litarë, grurë dhe rërë në ujë.

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, Boyes thotë se ‘nuk u desh shumë kohë që orkat të fillonin të godisnin timonin duke e thyer atë.

“Pas një ore që orkat vazhduan të godasin timonin, e shkatërruan plotësisht dhe uji filloi të derdhej në varkë,” tha ajo. Në këtë pikë, ekuipazhi bëri një thirrje ‘Mayday’ për ndihmë të menjëhershme, përpara se të tërhiqej në portin në Barbate në Cádiz nga një anije rimorkimi.

Edhe pse kjo nuk është hera e parë që orkat dëmtojnë një varkë në rajon, cetacet gjithmonë kanë humbur interesin dhe janë larguar pasi kanë shkatërruar timonin. Megjithatë, në këtë rast, Boyes shpjegon se orkat ‘vazhduan të ndjekin varkën derisa arritëm në breg’.

Sipas Atlantic Orca Ëorking Group (GTOA), orka fillimisht filluan të sulmojnë varkat rreth gadishullit Iberik në vitin 2020, me 52 ndërveprime të raportuara midis korrikut dhe nëntorit të atij viti. Vitin e kaluar, organizata regjistroi gjithsej 207 takime të ngjashme, ndërsa 46 të tjera kanë ndodhur që nga marsi 2023. Nga këto, 38 kanë ndodhur në ngushticën e Gjibraltarit.

Live Science raporton se një në pesë takime me orka kanë penguar anijet të lundrojnë, ndërsa tre kanë çuar në fundosjen e anijeve. Aktualisht, është e paqartë pse orkat po godasin varkat, as nuk është e mundur të thuhet nëse ndërveprimet e ardhshme do bëjnë që ato të ndjekin varkat pasi i kanë shkatërruar timonin.

Duke ofruar një shpjegim spekulativ për këtë sjellje të re, Boyes shkruan se ‘orkat kanë një model emigrimi dhe ka rrjeta të mëdha peshkimi për peshkun ton në Barbate’.

“Pyes veten nëse sulmet e orkave lidhen me anijet e peshkimit që marrin peshkun ton nga rajoni duke i lënë ato të uritura. A është peshkuar më tepër se duhet?” ajo pyet.