Vendosni fjalën kyçe....

Vdes ‘Unabomber’, kapja e tij konsiderohet gjuetia më e gjatë dhe e kushtueshme në historinë e SHBA-së


Ted Kaczynski, i quajtur ‘Unabomber’ nga FBI, ka ndërruar jetë në një burg amerikan në moshën 81-vjeçare. Ai po vuante një dënim të përjetshëm për një varg sulmesh vdekjeprurëse me bomba përmes të cilave ai shpresonte të sillte fundin e shoqërisë industriale.

Sipas Byrosë Federale të Burgjeve, Kaczynski u gjet pa ndjenja në qelinë e tij herët të shtunën dhe u dërgua me urgjencë në spital, ku u shpall i vdekur.

FBI e arrestoi Kaczynski në vitin 1996 pas një hetimi të gjatë, të cilin disa e kanë përshkruar si një nga gjuetitë më të gjata dhe më të kushtueshme në historinë e SHBA-së.

Autoritetet arritën ta gjurmonin pasi të afërmit e tij e njohën stilin e tij në një manifest që ai kishte dërguar në disa gazeta kryesore. Terroristi i vetmuar ishte zotuar se do përmbahej nga dhuna e mëtejshme nëse mediat pranonin ta publikonin atë. Në atë kohë, ai kishte vrarë tre persona dhe kishte gjymtuar 23 të tjerë.

Midis 1978 dhe 1995, Unabomber dërgoi me postë dhe vendosi gjithsej 16 bomba, duke synuar akademikë, biznesmenë dhe të tjerë që ai besonte se mbështetnin shoqërinë industriale.

Kjo e fundit, sipas Kaczynskit, duhej shkatërruar, duke përfshirë edhe mjetet e dhunshme. Ai kishte jetuar si i vetmuar në një kasolle në periferi të Montanas që nga viti 1971 dhe mbrojti kthimin në një shoqëri primitive.

Në rininë e tij, Kaczynski konsiderohej si një gjeni matematikor, duke u bërë asistent profesor në Universitetin e Kalifornisë, ‘Berkeley’, në moshën 25-vjeçare.

Kaczynski u transferua në burgun ADX Florence supermax në shtetin e Kolorados pasi një gjykatë në Sacramento, Kaliforni, dha një dënim të përjetshëm pa lirim me kusht në vitin 1998. Në dhjetor 2021, ai u transferua në një qendër mjekësore federale në Butner, Karolina e Veriut. për shkak të përkeqësimit të shëndetit të tij.