Vendosni fjalën kyçe....

4-mujori, fitimi i sektorit bankar qëndroi në nivelet më të larta historike


Fitimi i sektorit bankar u rrit përsëri për muajin prill, ndërsa rezultati progresiv vjetor ngelet në nivelet më të larta të regjistruar ndonjëherë nga sektori bankar shqiptar.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, fitimi neto për 4-mujorin janar-prill arriti vlerën e pak më shumë se 9 miliardë lekëve, në rritje me 85% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Fitimet më të mëdha kanë sjellë edhe një përmirësim të dukshëm të treguesve të rentabilitetit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kthimi nga kapitali i sektorit, i mesatarizuar me bazë vjetore, u rrit në 14.58%, nga 8.18% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa kthimi nga aktivet është në nivelin 1.44%, nga 0.84% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Shifrat bazohen në standardet e raportimit sipas kërkesave të Bankës së Shqipërisë dhe kanë kryesisht një vlerë orientuese për tendencën e performancës së sistemit. Standarde ligjore të raportimit për bankat janë Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), por ato janë të disponueshme vetëm me bazë tremujore.

Rritja e normave të interesit dhe vijimësia e zgjerimit të aktiveve, ashtu siç pritej, ka pasur një ndikim pozitiv në performancën e bankave, duke rritur të ardhurat dhe rezultatin neto nga interesat.

Nga ana tjetër, ruajtja e cilësisë së portofolit të kredisë në nivele relativisht të qëndrueshme nuk po shtron presione të rëndësishme nga krahu i shpenzimeve për provigjione.

Raporti i kredive me probleme të sektorit bankar u shfaq i qëndrueshëm edhe për muajin prill. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, ky tregues shënoi nivelin 5.18%, nga 5.15% që kishte qenë në fund të muajit mars.

Raporti i kredive me probleme paraqitet në rritje të lehtë nga niveli 5% ku qëndronte në fund të vitit të kaluar, megjithatë, është sërish në rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ishin në nivelin 5.42%.

Deri tani, ekonomia shqiptare duket se i ka rezistuar mirë inflacionit të lartë dhe fazës së parë dhe më delikate të rritjes së normave të interesit. Vitin e kaluar, ekonomia u rrit me rreth 4.8%, ndërsa, sipas Bankës së Shqipërisë, treguesit e tërthortë dëshmojnë vijimësinë e rritjes pozitive edhe në pjesën e parë të këtij viti.

Parametrat pozitivë makroekonomikë po reflektohen edhe një ecuri të mirë të aktivitetit të sektorit bankar, që po në vitet e fundit është shfaqur i qëndrueshëm përballë goditjeve që solli tërmeti i vitit 2019, pandemia, inflacioni dhe rritja e shpejtë e normave të interesit.

Nga ana tjetër, tregu financiar këtë vit paraqitet më i stabilizuar në pjesën e parë të këtij viti. Yield-et paraqiten në rënie, ndërsa rritja e normave të interesit të produkteve bankare është e ngadaltë. Besohet se pjesa më e madhe e rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë është përmbushur, megjithëse ky proces pritet të vazhdojë edhe gjatë vitit 2023./E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor

bank