Avokati i ish-deputetit të PS-së Alqi Bllako, për të cilin u kërkuan 7 vite burg, i ka quajtur të padrejta akuzat ndaj klientit të tij lidhur me pretencën e SPAK për çështjen e inceneratorit të Fierit.
Sokol Hazizaj tha se SPAK po dëmton interesat e qytetarëve dhe se duhet ta kishte pushuaar çështjen ndaj Bllakos.
Sipas tij, akuza për korrupsion nuk është e bazuar te faktet e për këtë arsye duhet rrëzuar.
Më herët Bllako akuzohej për korrupsion të funksionarëve publike dhe shpërdorim detyre, ndërsa SPAK kërkoi dënimin për veprën penale të korrupsionit të funksionarëve të lartë shtetëror, duke kërkuar 7 vite burg dhe 5 vite heqje të drejte për ushtrimin e funksioneve publike.
“Ne gjithmonë e kemi deklaruar dhe para gjykatës se akuzat kanë qenë të padrejta dhe të pareferuara për aktet penale, por kanë qenë dyshime. Ne i qëndrojmë të njëjtës gjë, si në seancën paraprake. Gjykata duhet të mbajë qëndrim të thjeshtë. Për sa kohë prokuroria i qëndron të njëjtës akuzë, duhet të pushojë çështjen. Pra është vetëm akuza e shpërdorimit të detyrës. Ky është një qëndrim joligjor, jo në përputhje me kodin, por është jokushtetues. SPAK, vepron jo në përputhje me kodin e procedurës penale, por dëmton interesat e qytetarëve.” – tha Hazizaj.