Vendosni fjalën kyçe....

Bllokohen 7 turistë të huaj në Kanionin e Langaricës në Përmet, shpëtohen nga policia


Policia ka mundur të shpëtojë 7 turistë të huaj të cilët kishin mbetur të bllokuar në “Kanionin e Langaricës, duke eksploruar me këmbë zonën.

Turistët e bllokuar, kanë mbetur në pjesën e kanionit, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin e Langaricës, nga reshjet e shiut.

Policia e Përmetit, shërbimet zjarrfikëse si dhe anëtarët e federatës shqiptare “Rafting Albania”, janë nisur në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët.

Ata kanë kontrolluar zonën dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e turistëve, në kanionin e Langaricës. 

Falë punës së mirorganizuar dhe bashkëpunimit me shërbimet e tjera, punonjësit e Policisë kanë bërë të mundur nxjerrjen e 7 turistëve nga terreni i vështirë ku kishin mbetur të bllokuar.  

Të gjithë turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Ata kanë falënderuar punonjësit e Policisë dhe shërbimet e tjera që i erdhën në ndihmë në kohë rekord.