Rasti i ardhshëm i SHBA-së kundër Donald J. Trump do vendosë një prokurori të Departamentit të Drejtësisë të mbështetur nga hollësi të përpikta kundër një mbrojtjeje që pritet të minimizojë rëndësinë e akuzave penale dhe të tregojë kompetencat e mëdha të presidencës.
Ekipi ligjor i Trump ka të ngjarë të kapë tre faktorë kryesorë ndërsa ngriti mbrojtjen në sallën e gjyqit kundër një aktakuze të hollësishme me 37 pika të ngritur nga prokurori i posaçëm Jack Smith: kompetencat e tij presidenciale për të deklasifikuar dokumentet, vendndodhjen e gjyqit dhe zgjedhjet e ardhshme të 2024-ës.
Trump dhe bashkëpunëtori i tij i supozuar, Walt Nauta, do gjykohen të martën në Miami për një betejë gjyqësore që do zhvillohet gjatë pjesës më të madhe, nëse jo të gjithë fushatës presidenciale të vitit 2024.
Në aktakuzën e pavulosur të premten, Trump u akuzua për mbajtjen e vetëdijshme të dokumenteve të klasifikuara që mbante pas largimit nga Shtëpia e Bardhë dhe më vonë pengoi përpjekjet e qeverisë për t’i tërhequr ato.
Ish-prokurorët federalë dhe ekspertët ligjorë e panë dokumentin prej 49 faqesh si një rast bindës kundër Trump, me mesazhe me tekst, regjistrime telefonike dhe fotografi që tregojnë kuti të ruajtura në pjesë të ndryshme të Mar-a-Lago, duke përfshirë një banjë në vendbanimin e ish-presidentit në Floridan e Jugut.
“Gjëja e parë që më goditi ishte besimi,” tha Ed O’Callaghan, një ish-zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë në administratën Trump.
“Ata po dërgojnë një mesazh me sasinë e hollësive që kanë vendosur në aktakuzë.”
Ëilliam Barr, i cili shërbeu si prokuror i përgjithshëm në fund të administratës Trump, e quajti aktakuzën ‘shumë, shumë rënduese’ në Fox News Sunday.
Ndërsa Trump është përballur me ‘pretendime të rreme’ nga kundërshtarët në të kaluarën, Barr tha, ‘ai nuk është viktimë këtu. E kishte krejtësisht gabim se mendonte që kishte të drejtë t’i kishte ato dokumente. Këto dokumente janë ndër sekretet më të ndjeshme që ka vendi’.
Trump ka deklaruar pafajësinë e tij përpara paraqitjes së tij fillestare në gjykatë të martën në gjykatën federale të Miamit, i akuzuar për shkelje të Aktit të Spiunazhit, komplot për të penguar drejtësinë dhe deklarate të rreme për qeverinë.
Trump javën e kaluar tronditi ekipin e tij ligjor, duke thënë se ish-prokurori federal Todd Blanche do të drejtonte mbrojtjen e tij dhe do ndahej me dy avokatë që e përfaqësonin atë gjatë hetimit të prokurorit special. Trump tha se po kërkon të rrisë më tej ekipin ligjor. Blanche nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Me fluksin e ekipit mbrojtës, mbetet e paqartë saktësisht se si Trump do përballet me akuzat penale, por ka të ngjarë të përsërisë një numër argumentesh që avokatët e tij kanë bërë në betejën e tyre të gjatë ligjore për të hequr dorë nga ndjekja penale.
Departamenti i Drejtësisë ka ndjekur me sukses shumë raste mbi keqpërdorimin e supozuar të informacionit të mbrojtjes kombëtare. Por ish-prokurorët dhe ekspertët ligjorë thanë se ekipi i tij mbrojtës ka të ngjarë stë nënvizojë grupin e paparavë të fakteve rreth çështjes së Trump.
Si president, Trump kishte kompetenca të mëdha mbi të dhënat sekrete të qeverisë, një autoritet të kaluar të cilin ai mund ta tregonte si pjesë e një përpjekjeje për të pakësuar rëndësinë e akuzave kundër tij.
“Një nga sfidat e mëdha me të cilat përballet Jack Smith është të bindë secilin nga ata 12 juristët se mund të ishte një vepër penale për Trump të ndajë dokumente që, disa vjet më parë, kur ai ishte president, ai do të kishte qenë i lirë t’i ndante.”, tha Rob Kelner, një avokat mbrojtës me ekspertizë në çështjet e sigurisë kombëtare.
Aktakuza theksoi dy raste në të cilat Trump dyshohet se ndau informacionin që ai e dinte se ishte i klasifikuar me njerëz të cilëve u mungonte autorizimi për ta marrë atë. Në korrik 2021, në klubin e tij të golfit në Nju Xhersi, ai i tha një shkrimtari, një botuesi dhe dy anëtarëve të stafit për një plan të fshehtë sulmi ndaj një vendi që nuk përmendet, por është i identifikueshëm si Irani.
Javë më vonë, sipas aktakuzës, ai i tregoi një hartë të klasifikuar një përfaqësuesi të komitetit të tij të veprimit politik.
Kelner tha se ekipi i mbrojtjes së Trump mund të kërkonte të nënvizonte se, ndërsa ndarja e informacionit të mbrojtjes kombëtare ishte e papërshtatshme, ish-presidenti nuk ia dha atë një shtetasi të huaj, ‘aq më pak aktorëve armiqësore’.
Përndryshe, ekipi mbrojtës mund të kërkojë të zvogëlonte peshën e krimit të supozuar.
Në një letër të prillit drejtuar republikanëve të Kongresit, katër nga avokatët e atëhershëm të Trump shkruanin se prania e dokumenteve të shënuara të klasifikuara në Mar-a-Lago ‘ishte rezultat i mbajtjes dhe paketimit të rastësishëm të të dhënave’ dhe se ata nuk kishin parë ‘absolutisht asnjë tregues që Presidenti Trump zotëronte me vetëdije ndonjë nga dokumentet e shënuara ose kishte shkelur me dashje ndonjë ligj’.
Letra kritikonte gjithashtu përpjekjen e suksesshme të Departamentit të Drejtësisë për të bërë që një gjykatës të shkelte privilegjin avokat-klient dhe të detyronte dëshminë para jurisë së madhe nga avokati i Trump, Evan Corcoran, i cituar në aktakuzë si ‘Avokati Trump 1’.
Corcoran figuron dukshëm në çështjen e ngritur nga prokuroria se Trump komplotoi për të penguar drejtësinë dhe bëri një deklaratë të rreme tek autoritetet federale. Aktakuza pretendon se Trump dhe Nauta, shërbëtori i tij, e mashtruan me dashje avokatin duke hequr kutitë e dokumenteve nga zona e ruajtjes së Mar-a-Lago përpara se ai të kryente një kërkim për të dhënat.
Si rezultat, thuhet në aktakuzë, një vërtetim i rremë iu dorëzua qeverisë që vërtetonte ‘që të gjitha dokumentet me shenja klasifikimi ishin prodhuar, ndërsa në fakt nuk ishin prodhuar”.
Dëshmia e detyruar e Corcoran, shkruante ish-avokati Tim Parlatore dhe tre të tjerë, ‘ishte qartë një zëvendësim jo i përshtatshëm dhe kushtetues i dyshimtë’ për një kontroll më të plotë të pronës me pëlqim. Avokatët e Trump mund të kërkojnë përpara gjyqit për të kundërshtuar provat nga Corcoran, thanë ish-prokurorët.
Në akuzat për pengim, avokatët e Trump mund të argumentojnë gjithashtu se ai ngurronte të bashkëpunonte, sepse ai është ndjekur nga ata që ish-presidenti i ka përshkruar si hetues të njëanshëm.
“Nëse ka një juri që mendon se Donald Trump është trajtuar në mënyrë të padrejtë, kjo është e mjaftueshme për të ngecur jurinë,” tha William Devaney, një ish-prokuror federal dhe partner në ‘Baker McKenzie’.
Vendi i gjykimit figuron gjithashtu në strategjinë e prokurorisë dhe mbrojtjes. Pas muajsh hetimesh me një juri të madhe në Uashington, Smith në fund përdori një juri të madhe në Florida të Jugut për të çuar aktakuzën kundër Trump dhe Nauta.
Kjo e vendos gjyqin e Trump në një shtet të udhëhequr nga republikanët, ku grupi i juristëve të mundshëm mund të rezultojë më dashamirës ndaj argumenteve që minimizojnë akuzat penale dhe e portretizojnë ish-presidentin si në shënjestër të padrejtë për ndjekje penale.
Për Departamentin e Drejtësisë, mbajtja e gjyqit në Florida të Jugut mund të privojë gjithashtu Trumpin nga çdo argument se ai nuk mund të merrte një gjyq të drejtë në Uashington.
“Florida e bën më të vështirë për ish-presidentin të debatojë për papërshtatshmërinë e vendit të gjyqit,” tha Sarah Krissoff, një ish-prokurore federale dhe partnere në firmën ligjore ‘Day Pitney’.
Çështja e Trump i është caktuar gjyqtares Aileen Cannon, një e emëruar nga Trump në gjykatën federale në Florida të Jugut.
Cannon më parë kryesoi një padi që ish-presidenti ngriti vitin e kaluar duke kundërshtuar bastisjen e FBI-së në gusht të Mar-a-Lago. Cannon pranoi kërkesën e Trump për të emëruar një gjyqtar të jashtëm – i njohur si këshilltar special – për të shqyrtuar dokumentet e sekuestruara nga rezidenca e ish-presidentit dhe resorti privat në Florida të Jugut.
Një panel i gjykatës së apelit më vonë e anuloi vendimin e saj dhe shpërndau procesin e rishikimit, duke thënë se nuk kishte asnjë justifikim për trajtimin e Trumpit ndryshe nga çdo objektiv tjetër i një urdhri kontrolli.
Nëse nuk tërhiqet, gjyqtarja Cannon do qëndrojë në qendër të çështjeve paragjyqësore, duke përfshirë caktimin e procedurës së profilit të lartë.
Në komentet e tij të para publike si këshilltar special, Smith tha të premten se ekipi i tij do kërkonte një ‘gjykim të shpejtë’. Ekspertët ligjorë thanë se ekipi i Smith ka të ngjarë të kërkojë të caktojë gjyqin federal të Trump për t’i paraprirë një gjyqi të veçantë të caktuar për në mars 2024 në një çështje të veçantë penale që prokurori i qarkut Manhattan ngriti kundër ish-presidentit.
Ekipi i Trump ka të ngjarë të ketë një ide tjetër.
Trump ka mbledhur fonde për padinë e tij dhe ai mund të kërkojë të shtyjë gjyqin e tij sa më vonë që të jetë e mundur në vitin 2024 – edhe pas zgjedhjeve presidenciale. Nëse zgjidhet vitin e ardhshëm, Trump mund të përpiqet të përdorë kompetencat e gjera të presidencës për të falur veten, megjithëse një përpjekje e tillë nuk është konsideruar kurrë nga gjykatat. Ai mund të falet nga kushdo tjetër që zgjidhet president.
Duke pasur parasysh zgjedhjet, ekipi ligjor i Trump mund të kërkojë të ngadalësojë çështjen duke paraqitur mocione për të hedhur poshtë akuzat, të kufizojë provat dhe dëshmitarët e ekipit Smith dhe potencialisht të ngrejë shqetësime për sjelljen e hetuesve federalë.
“Gjëja e fundit që ai dëshiron,” tha Krissoff, “është një gjyq i shpejtë me të gjithë dëshmitarët të dëshmojnë kundër tij.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e WSJ
Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani