Vendosni fjalën kyçe....

Orientimi i maturantëve në zgjedhjen e degës së studimeve në kuadër të menaxhimit të mbigopjes së tregut me diploma në Shkenca Sociale


Nga Elona Shehu (Shahini)

Rrjedha e tranzicionit në 30 vitet e fundit në Shqipëri mori me vete edhe arsimin. Si pasojë e të gjitha “eksperimenteve” të kryera me arsimimin e të rinjve dhe mënyrat e ndryshme, kriteret dhe aktet ligjore kanë ndryshuar shpesh gjatë viteve të fundit, duke shkaktuar një cungim në performancën e maturantëve, studentëve dhe punonjësve në tregun e punës.

Një grup pedagogësh nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë gjatë vitit 2022-2023 kanë kryer një studim në bashkëpunim me Agjencinë e Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit (AKKSHI), “Përzgjedhja e studimeve universitare dhe implikimet prej saj në performancën akademike dhe në tregun e punës”.

Ky studim ka pasur si synim të analizojë lidhjen që ekziston midis rezultateve akademike dhe rezultateve në punë, bazuar në preferencat e zgjedhura për të ndjekur studimet universitare. Me gjithë vëmendjen e shtuar në vitet e fundit për përmirësimin e shërbimeve të studentëve nga Institucionet e Larta Arsimore (IAL) në vend, duke synuar që t’u sigurojnë të diplomuarve aftësitë e nevojshme për t’u përshatur më lehtë në tregun e punës, nëpërmjet zhvillimit të kurrikulave që i përgjigjen konceptit të globalizimit.

Zgjedhja e një dege studimi është një proces i rëndësishëm i cili përcakton fushën në të cilën do zhvillohet karriera dhe kompetencat profesionale në të ardhmen. Nga anketimet e 800 studentëve në IAL publike dhe private në vend, të studimeve bachelor, rezulton se shumë nga maturantët marrin në konsideratë mendimet e familjes dhe miqve duke i orientuar studimet e tyre drejt degëve me karakter social.

Peshën kryesore në këtë fushë kryesore studimi e zë nënfusha ‘Ekonomi’ me rreth 63,1 %. Rreth 63% e studentëve bien dakort dhe pohojnë se perspektiva e punësimit ka qenë faktor përcaktues në përzgjedhjen e degës së studimeve, 61% të studentëve të anketuar rendisin rezultatet e shkolles dhe rreth 58% e studentëve bien dakort se familja ka luajtur rol që ata të kuptojnë më mirë aftësitë, kapacitetet dhe mundësitë që justifikojnë preferencën e tyre në përzgjedhjen e degës në universitet.

Edhe pse këshillimi i karrierës ka vite që tashmë ofrohet në shkollat e mesme dhe nga IAL-të, pjesa më e madhe e të anketuarve shprehen se roli i zyrave të këshillimit të karrierës, nuk ka qenë i qenësishëm, ndërkohë që duhet të kishim një efekt vendimtar dhe themelor, në kuadër të një përzgjedhjeje cilësore të së ardhmes arsimore.

Gjithashtu nëpërmjet pyetësorëve ka dalë në pah edhe ndikimi që ka zgjedhja e degës së preferuar në vazhdimin e Ciklit te Dytë të ngjashëm me profilin e studimeve në Ciklin e Parë dhe mundësisht direkt mbas përfundimit të ciklit të parë, tipar tipik ky i studentëve në vendin tonë. Ne vendet e BE-së dhe vende të tjera, studimet master i ndjekin të orientuar nga nevoja që i paraqitet në vendin e punës për t’u kualifikuar.

Përzgjedhja e studimeve universitare vështirë se mund të konsiderohet  një akt që është i lidhur eksluzivisht me ‘prirjet’ e kandidatit për student. Duhet që ‘prirjet’ ti përshtaten qëllimit kryesor që një subjekt neoliberal duhet të ketë në një kohë si kjo e sotmja.

Dhe ky qëllim nuk mund të jetë tjetër përvec se investimi në kapitalin human të vetes. Duhet që prirjet t’i nënshtrohen logjikës së tregut.  Kjo reflektohet edhe në vendimarrjen e maturantëve për t’iu drejtuar kryesisht degëve sociale dhe kryesisht atë të ekonomisë dhe juridikut.

Elementë të cilët mund të ndikojnë në zgjedhjen e studimeve universitare janë gjinia, niveli arsimor i prindërve, faktori gjeografik, burimet e informacionit, ëebsitet e universiteteve, etj. Një tendencë e tillë konfirmohet edhe nga publikimet e INSTAT.

Roli i nevojave të tregut të punës, duhet të shërbejë si një koncept referues lidhur me një përzgjedhjen e suksesshme të karrierës akademike, si dhe me pas drejt punësimit. Orientimi i maturantëve drejt një karriere të sigurtë dhe frytdhënëse nga ana e familjarëve, mësuesve dhe shoqërisë do të duhet të mbështetet në disa kritere bazë siç janë tendencat e reja të profesioneve, lidhja midis pasionit dhe profesionit, koha e nevojshme për të gjetur punë dhe paga që kënaq pritshmëritë individuale.

Mospërputhja e përzgjedhjes së degës së studimit  me aftësitë, mundësitë e vecanërisht dëshirën e tyre në mënyrë të natyrshme sjell pakënaqësinë  e tyre dhe nga ana tjetër krijon atë që mund ta përkufizojmë si ‘boshllëku motivues” që mund të mbushet me indiferentizëm, përpjekje minimale dhe demotivim për të përfituar nga vitet e studimit dhe padurimin për ta përmbyllur sa më parë atë.

Orientimi që u bëhet kandidatëve kryesisht në degët, informatik, mjekësi dhe ekonomik, po krijon tashmë një prirje për zhvlerësim në disa degë kryesisht të mësuesisë, filozofi, matematikë, shkenca politike, etj. Kjo për një periudhe jo të largët do krijojë një boshllëk me specialistë në këto fusha.

Pavarësisht se nuk vërehen diferenca të theksuara mes fushave të studimit, studentë të fushës ‘Shkenca Humane’ konsiderojnë më të rëndësishëm punësimin në fushën e tyre sesa pagën krahasuar me studentë të Shkencave të Natyrës. Për shkak të kësaj mospërputhjeje, përballemi sot me një ‘inflacion diplomash’ në disa profesione në shkenca sociale, punësimi i të cilëve jo gjithmonë është i njëjtë me profesionin që kanë fituar.

Gjatë seancave të këshillimit në shkollat e mesme, personat e angazhuar me këtë rol duhet të marrim informacione paraprake pë profilet e nxënësve dhe të prirjeve që ata kanë.  Kjo, pasi përcaktimi i lëndëve me zgjedhje që bëjnë nxënësit e gjimnazeve është edhe momenti kulminant që përcakton të ardhmen e tyre në një degë në universitet.

Ndryshimet ligjore lidhur me kriteret e pranimit në universitete dhe tendencat e reja te tregut te punës, kërkojnë rritje të numrit të personave që marrin një profesion dhe jo domosdoshmërisht një diplomë. Kjo ka çuar në nevojën e formimit profesional dhe hapjen e programeve dyvjeçare profesionale në IAL-të në vend.

Për të arritur rezultate të dukshme në performancën akademike dhe në tregun e punës duhet që procesi i orientimit të maturantëve dhe studentëve në zgjedhjen e degës së tyre të preferuar, të bëhet nëpërmjet një procesi motivues duke marrë në konsideratë prirjet, aftësitë dhe aspiratat e maturantit. Rolin e zyrës  së këshillimit të karrierës në shkollat e mesme nuk mund ta luajë asnjë njësi tjetër jashtë këtyre institucioneve.