Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti i Brazilit Lula bën thirrje: Mobilizim për të mbrojtur Assange


Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva e ka përshkruar ndalimin e Julian Assange si një sulm ndaj demokracisë dhe lirisë së shtypit.

Bashkëthemeluesi i WikiLeaks do bëjë një apel ‘përfundimtar’ në Gjykatën e Lartë në Britani, pasi mocioni i tij i fundit për të bllokuar kërkesën e SHBA-së për ekstradim u hodh poshtë.

“Unë shoh me shqetësim ekstradimin e afërt të gazetarit Julian Assange. Assange ka bërë një punë të rëndësishme për të denoncuar veprimet e paligjshme të një shteti kundër një shteti tjetër”, tha Lula në një postim në Twitter të shtunën.

Gruaja e Assange, Stella tha të enjten se burri i saj do kërkojë një tjetër ‘dëgjim publik përpara dy gjyqtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë dhe ne mbetemi optimistë se do triumfojmë’.

“Është e rëndësishme që ne të gjithë të mobilizohemi në mbrojtje të tij”, shtoi lideri brazilian, duke theksuar se ndalimi i zgjatur i bashkëthemeluesit të WikiLeaks ‘bie në kundërshtim me mbrojtjen e demokracisë dhe lirisë së shtypit’.

Pasi mori pjesë në kurorëzimin e mbretit Charles III në Londër muajin e kaluar, Lula denoncoi ndalimin e Assange si një ‘turp’ dhe një ‘gjë të çmendur’.

Shtetasi australian, i cili lëngon në burgun e sigurisë së lartë të Londrës në Belmarsh që nga viti 2019, së fundi i shkroi në një letër mbretit Charles III se ‘si një i burgosur politik, i mbajtur për kënaqësinë e Madhërisë suaj në emër të një sovrani të huaj të turpëruar, jam i nderuar të banoj brenda mureve të këtij institucioni të klasit botëror’, duke ftuar monarkun të vizitojë objektin.

Assange u arrestua nga autoritetet britanike pasi Ekuadori hoqi statusin e tij të azilit dhe lejoi policinë e Mbretërisë së Bashkuar ta largonte atë nga ambasada e vendit në Londër. Në ditën e arrestimit të tij, Departamenti Amerikan i Drejtësisë  e akuzoi Assange me 17 akuza sipas Aktit të Spiunazhit, i cili mund ta vendosë atë pas hekurave për 175 vjet.

Akuzat burojnë nga publikimi i tij i materialeve të klasifikuara të marra nga sinjalizuesit, duke përfshirë dokumente të klasifikuara që pretendojnë krime lufte të SHBA-së në Irak dhe Afganistan. Megjithëse Assange nuk i ka hakuar personalisht këto materiale, ai u akuzua sërish për rolin e tij në publikimin e tyre.

Ekipi i tij mbrojtës aktualisht po lufton një kërkesë për ekstradim nga SHBA, por një apel i mëparshëm i urdhrit të ekstradimit të qershorit 2020 u hodh poshtë në fillim të kësaj jave.

Më 6 qershor, gjyqtari Jonathan Swift i Gjykatës së Lartë të Anglisë dhe Uellsit hodhi poshtë të tetë arsyet për mocionin e tij, duke i dhënë botuesit të WikiLeaks një afat pesë-ditor për të paraqitur çështjen e tij në një panel prej dy gjyqtarësh.

Sipas Reporterëve pa Kufi (RSF), apelimi i javës së ardhshme do jetë mundësia e fundit e Assange për të luftuar ekstradimin në SHBA, nëse ai nuk e çon rastin e tij në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.