Tregu i shërbimeve postare pësoi rënie për të dytin vit radhazi në 2022.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), ofruesit e shërbimeve postare kanë raportuar të ardhura të përgjithshme në vlerën e rreth 2.55 miliardë lekëve, çka përbën një ulje me rreth 4% në raport me vitin 2021.
Bazuar në të dhënat e raportuara në AKEP, Posta Shqiptare është operatori me pjesën më të madhe të tregut me rreth 55% të totalit të të ardhurave për vitin 2022, e ndjekur nga DHL me rreth 21% dhe United Transport dhe Albanian Delivery Express me nga rreth 7%.
Statistikat e AKEP tregojnë se gjatë vitit 2022 u shënua një rënie në numrin e dërgesave ose objekteve të përpunuara nga ofruesit e shërbimit postar, me 1.6% më pak krahasuar me një vit më parë.
Rënia erdhi veçanërisht në segmentin e shërbimit jo universal postar, dhe preku si Postën Shqiptare (për këtë segment të shërbimit), ashtu dhe ofruesit e tjerë.
Duke qenë se shërbimi jo universal ka tarifa më të larta, ky fakt besohet se ka ndikuar në rënien e të ardhurave totale të tregut për vitin e kaluar.
Ndërkohë, numri i objekteve të përpunuara nga Posta Shqiptare në segmentin e ofrimit të shërbimit universal shënoi një rritje me 5.2% krahasuar me një vit më parë.
Shërbimi universal postar përkufizohet nga AKEP si ai shërbim që përfshin ofrimin e vazhdueshëm të shërbimit postar me një cilësi të përcaktuar dhe me çmime të përballueshme, duke përfshirë pranimin, përpunimin, transportin dhe shpërndarjen e objekteve postare që peshojnë deri në 2 kg; pranimin, përpunimin, transportin dhe shpërndarjen e pakove postare që peshojnë deri në 10 kg dhe shërbimet për objektet postare të regjistruara dhe objektet postare të siguruar.
Përgjatë vitit 2022 është vërejtur se disa nga operatorët kryesorë në treg kanë shënuar rënie të ardhurash krahasuar me vitin 2021, konkretisht rënien më të ndjeshme e kanë pasur Balkan Courier & Logistics, me 15%, DHL, me 7%, TNT, me 56% dhe FEDEX me 32%.
Edhe vlera e investimeve të realizuara nga ofruesit e shërbimeve postare u raportua në rënie vitin e kaluar, për një vlerë të përgjithshme prej rreth 480 milionë lekësh, ose rreth 27% më pak se viti pararendës.
Peshën më të madhe, rreth 82% të totalit të investimeve e zënë ofruesit e tjerë të shërbimit postar dhe 18% Posta Shqiptare. Edhe pse investimet e raportuara për vitin 2022 rezultojnë më të ulëta krahasuar me vitin 2021, AKEP nënvizon se sërish këto investime mbeten ndër vlerat më të larta përgjatë viteve të fundit.
Shërbimet postare në Shqipëri përgjatë vitit 2022 u ofruan nga 36 subjekte të pajisur me Autorizim të Përgjithshëm nga 34 ofrues të shërbimeve postare që ishin në fund të vitit 2021.
Sipas AKEP, tregu i shërbimeve postare, në përgjithësi, ka ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit, ku një ndër ndryshimet kryesore është zhvendosja nga komunikimi tradicional bazuar në letër, drejt komunikimeve me mjete elektronike, gjë e cila ka çuar në rënie të konsiderueshme të vëllimeve të objekteve postare.
Por, në të njëjtën kohë, digjitalizimi nxit rritjen e vëllimeve të pakove postare (kolive postare) për shkak të rritjes së tregtisë elektronike (e-commerce)./E.Shehu
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor