Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet 38-vjeçari në Shkodër pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pritet ekstradimi drejt Italisë


Një 38-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia për grabitje me armë dhe plagosje, është arrestuar sot në Shkodër.

Policia bën me dije se në pranga ka rënë Agron Ndoci, banues në Velipojë. Sakaq mësohet se do të ekstradohet drejt Italisë.

 

Njoftimi i policisë:

DVP Shkodër

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin e tyre.

Finalizohet nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Interpol Tirana, operacioni policor i koduar “Xhabija”.

Kapet në Shkodër dhe vihet në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për grabitje me armë dhe plagosje.

Në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes DVP Shkodër dhe Interpol Tirana, u organizua operacioni policor i koduar “Xhabija”, për kapjen e shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Gjatë operacionit, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në lagjen ‘’Xhabije’’, Shkodër, kapën dhe arrestuan me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasin:

– Agron Ndoci, 38 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Triestes, Itali, më datë 08.05.2023, ka lëshuar urdhrin e arrestit për veprat penale “Grabitja me armë” dhe “Plagosja”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.