Vendosni fjalën kyçe....

Goldman Sachs ul parashikimin e çmimit të naftës me pothuajse 10%


Goldman Sachs ka ulur parashikimin e saj për çmimet e naftës me gati 10%, duke përmendur kërkesën e dobët në Kinë dhe një tepricë të ofertës nga vendet e sanksionuara, përfshirë Rusinë.

Banka e Wall Street tani mendon se nafta e papërpunuar Brent, pikë referimi globale e naftës, do kushtojë 86 dollarë për fuçi në dhjetor, krahasuar me vlerësimin e saj të mëparshëm prej 95 dollarësh, ndërsa nafta e papërpunuar West Texas Intermediate (WTI) do arrijë në 81 dollarë për fuçi, nga 89 dollarë.

Kjo pavarësisht vendimit të fundit të Arabisë Saudite për të ulur prodhimin e saj dhe një premtimi nga anëtarët e tjerë të aleancës OPEC+ të prodhuesve kryesorë të naftës për të zgjatur një politikë të kufizimit të furnizimit në vitin e ardhshëm.

Furnizimi shtesë prej rreth 800,000 fuçi në ditë, kryesisht nga vendet e sanksionuara Rusia, Irani dhe Venezuela, qëndron prapa ‘pjesës më të madhe të zbutjes’ në parashikimet e saj të çmimeve, thanë analistët e mallrave të bankës në një shënim kërkimor të dielën.

“Furnizimi rus pothuajse është rikuperuar plotësisht pavarësisht vendimit të shumë kompanive për të ndaluar blerjen e fuçive ruse dhe efektivisht ndalimin e shërbimeve financiare dhe logjistike perëndimore”, shkroi banka. Firmat perëndimore mund të punojnë me prodhuesit rusë vetëm nëse respektojnë kufijtë e çmimeve të vendosura për naftën e vendit nga vendet e Grupit të Shtatë.

Që nga fundi i majit, çmimet për Brent dhe WTI kanë rënë me 6.8% dhe 7.6% respektivisht në 73 dhe 69 dollarë për fuçi, pasi të dhënat zhgënjyese ekonomike nga Kina kanë ulur perspektivën e kërkesës globale.

Në një shënim të veçantë, të botuar gjithashtu të dielën, Goldman Sachs tha se dobësia në tregun e pronave të Kinës do shkaktonte një ‘zvarritje shumëvjeçare të rritjes; në ekonominë e dytë më të madhe në botë.

Duket se nuk ka ‘asnjë zgjidhje të shpejtë’ për sektorin e vështirë të pasurive të paluajtshme të vendit, i cili ka parë rënie të vlerave të pronave dhe një numër mospagimi nga zhvilluesit privatë që nga fundi i vitit 2021.

Çmimet e naftës kanë rënë pavarësisht se Arabia Saudite – eksportuesi më i madh në botë i naftës së papërpunuar – thotë se planifikon të ulë prodhimin me 1 milion fuçi në ditë muajin e ardhshëm për të rritur çmimet pasi parashikon një ngadalësim të kërkesës globale.