Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i është përgjigjur kryeministrit Rama lidhur me propozimin e këtij të fundit për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri.
Kreu i Prishtinës zyrtare tha sot në një konferencë për mediat se Rama mund t’ia propozojë draftin në fjalë presidentit serb Vuçiç në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur për shqiptarët e Preshevës e Bujanocit.
“Nuk kam dyshim se Rama beson që propozimi i tij është i mirë dhe duke qenë kështu atëherë ajo që unë propozoj është ë kryeministri Edi Rama këtë draft statut t’ia prezantojë Vuçiçit në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur për shqiptarët në Preshevë dhe Bujanoc. Nëse e mendon si diçka të mirë le t’ia bëjë si propozim për shqiptarët që ndodhen atje. Duke besuar në atë që beson kryeministri Edi Rama, në vend që të propozojë në Paris e Berlin, t’ia propozojë Beogradit për Bujanocin, Medvegjën e Preshevën.” – tha Kurti.
Pak ditë më parë, kryeministri Rama pohoi se i kishte paraqitur presidentit francez Macron e kancelarit gjerman Scholz një draftstatut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Ndërsa nuk ka shumë hollësi mbi përmbajtjen, kryeministri tha se ai ishtë përgatitur nga eksperte amerikanë të nivelit të lartë.
Ditën e djeshme, në festën për 32-vjetorin e PS-së, Rama përsëriti se ai dhe Albin Kurti kanë të njëjtin qëllim, por rrugë të ndryshme për arritjen e tij duke theksuar se propozimi i tij është kontribut për paqen në rajon.
5 pikat e propozuara nga Kurti
Hapi 1: Sundim i ligjit në 4 komunat në veri të Kosovës. Situata nuk është normale për një kohë të gjatë, por eskalimi më 29 maj e bën urgjent sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtruan dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it, gazetarëve e Policisë së Kosovës. Identifikimi, ndjekjen penale të të gjitha grupeve që kanë sulmuar KFOR-in, Policinë dhe gazetarët. EULEX-i të monitorojë situatën.
Hapi 2: Grupet e dhunshme tërhiqen nga Kosova. Bazuar në parimin e proporcionalitetit Policia e Kosovës do të tërhiqet nga objektet e komunave në veri.
Hapi 3: Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR-i do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë.
Hapi 4: Qeveria e Kosovës koordinohet dhe shpallë zgjedhje të parakohshme në 4 komunat në veri. Zgjedhjet të organizohen në një atmosferë zgjedhje të lirë, liberale.
Hapi 5: Kosova dhe Serbia kthehen në dialog, dhe Brukseli harton një plan për zbatimin e marrëveshjeve. Udhëheqësit takohen në Bruksel gjatë kësaj jave.