Vendosni fjalën kyçe....

Manipulimi me orën e rreme ‘Speedmaster’ që u shit 3 milionë dollarë, Omega akuzon ish-punonjësit


Prodhuesi zviceran i orëve luksoze ‘Omega’ thotë se ka qenë viktimë e ‘veprimtarisë së organizuar kriminale’, duke pretenduar se tre nga ish-punonjësit e saj të stafit pranuan se punonin me ndërmjetës për të shitur një orë të rreme ‘Speedmaster’ për rreth 3.4 milionë dollarë.

Ora u ble nga vetë Omega për 3.115 milionë franga zvicerane – 25 herë më shumë se çmimi i sipërm i vlerësuar i ankandit – në një ankand ‘Phillips’ në Gjenevë në nëntor 2021.

Omega i tha CNN në një deklaratë se kishte synuar ta shfaqte orën në muzeun e saj në Bienne, Zvicër, me të njohurit e kompanisë që besonin se ajo ishte një ‘orë e rrallë dhe e jashtëzakonshme që do ishte një domosdoshmëri absolute për koleksionet vitrinë të OMEGA-s’.

Artikulli mendohej të ishte një orë dore kronografike prej çeliku inox e vitit 1957 me akrepa të gjera dhe u përshkrua nga Phillips si një nga ‘modelet e para dhe më të koleksionueshme’ të Speedmaster.

Megjithatë, më vonë u zbulua se ora, që u ble me ndihmën e ‘ndërmjetësve’, ishte në fakt një orë ‘Frankenstein’ – një orë joautentike e përbërë nga ‘përbërës kryesisht autentikë OMEGA’, tha për CNN Giovanni Alegre, menaxher i lartë i komunikimit në Omega.

“OMEGA dhe Phillips ishin viktimat e përbashkëta të veprimtarisë kriminale të organizuar që përfshinte shitjen e kësaj ore specifike me ankand”, shtohet në deklaratë.

“Kjo orë është aktualisht një provë kyçe në hetimin në vazhdim që duhet të nxjerrë në dritë edhe shitësin e orës. Trashëgimia e saj e rreme i lejoi përfituesit të justifikonin një ofertë shumë të fryrë të bërë përmes ndërmjetësve, gjë që u lejoi atyre që ishin përfshirë të mblidhnin dhe shpërndanin fitimet e mbledhura nga shitja.”

Kompania shtoi se tre ish-punonjës ‘kanë pranuar rrjedhën e ngjarjeve kur u përballën gjatë një hetimi të brendshëm të OMEGA, i cili është aktiv dhe në vazhdim. OMEGA po ngre kallëzime penale kundër të gjithë të përfshirëve’.

Një zëdhënës i Phillips tha për CNN se shtëpia e ankandeve ishte ‘më e shqetësuar për të zbuluar se pavarësisht angazhimit tonë ndaj këtyre standardeve të larta Phillips dhe OMEGA kanë qenë viktima të përbashkëta të veprimtarisë kriminale të organizuar që përfshin lotin 53, Omega Speedmaster Ref. 2915-1, i cili u shit në ankand në nëntor 2021.

“Ora është blerë nga OMEGA për Muzeun OMEGA dhe ne kuptojmë nga OMEGA se ajo ka zbuluar se ora përbëhet nga pjesë të palidhura nga burime të ndryshme dhe se punonjësit e OMEGA mund të jenë përfshirë në montimin e orës.“Ne mezi presim të shohim rezultatin e gjetjeve të OMEGA-s dhe sigurisht do bashkëpunojmë plotësisht me çdo hetim ose ndjekje penale të autorëve nga autoritetet”, shtoi Phillips.

Kur u pyet për identitetin e shitësit, shtëpia e ankandeve tha se do bashkëpunonte me autoritetet ‘nëse ky informacion kërkohet nga një autoritet ligjor’.

Orët Speedmaster të Omega-s kanë një histori të shkëlqyer: Në vitin 1969, ora e dorës me kronograf ‘Speedmaster’ u bë ora e parë e mbajtur në Hënë – me orën e përjetësuar në një fotografi tashmë të famshme të Buzz Aldrin.