Me urdhër të Presidentit Bajram Begajt, është mbledhur sot Këshilli i Sigurimit Kombëtar, ku në fokus të diskutimit është rreziku nga sulmet kibernetike, pas ngjarjeve të paprecedenta në korrik të vitit të kaluar, ku vendi ynë u sulmua disa herë.
Begaj pohoi se një vit më parë, vendi u përball me sulme shumë të rënda, komplekse dhe sofistikuara kibernetike të cilat synuan shkatërrimin e infrastrukturës dixhitale të Republikës së Shqipërisë, me qëllim nxitjen e destabilitetit në vend.
“Një vit më parë, ne u përballëm me sulme shumë të rënda, komplekse dhe sofistikuara kibernetike. Sulmet synuan shkatërrimin e infrastrukturës dixhitale të Republikës së Shqipërisë, me qëllim nxitjen e destabilitetit në vend. Institucionet tona bënë të mundur që aktorët që ndërmorën këto sulme të mos e realizonin qëllimin e plotë të tyre. Bashkëpunimi me partnerët strategjikë SHBA, BE, NATO-n ka mundësuar trajnimin e specialistëve, ekspertëve etj. Ligji i ri për sigurinë kibernetike dhe strategjia kombëtare e sigurisë kibernetike do i shërbejnë më së miri ndërtimit të kapaciteteve moderne”, tha Begaj.
Begaj tha se vlerëson punën që kanë bërë institucionet, ndërsa u shpreh se duhet të vendoset se ku duhet të fokusohen përpjekjet dhe investimet për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes kibernetike.
“Pavarësisht masave të marra aktorët kërcënues kibernetikë, kryesisht të mbështetur dhe financuar nga Republika Islamike e Iranit e kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre. Sulmet kibernetike janë shtuar si në sasi, por janë bërë edhe më të sofistikuar. Një vit pas sulmeve është koha të reflektojmë se çfarë kemi bërë, sa të përgatitur jemi në përballje me sulme të mundshme. Të vendosim se ku duhet të fokusohen përpjekjet dhe investimet tona për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes kibernetike. Krahas sigurisë kibernetike ne do diskutojmë edhe për çështje të tjera me rëndësi për sigurinë kombëtare. Diskutimet gjate KSK edhe mbi kërcënimet që vijnë nga Irani në formën e propagandës dhe në forma hibride”.
Më herët në lidhje me këtë mbledhje, presidenca kishte dalë me një njoftim zyrtar.
NJOFTIMI
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj bazuar në pikën 3, të nenit 168 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 10 të ligjit 64/2014 “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” (i ndryshuar), ka vendosur mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, sot më datë 13 Qershor 2023 ora 12:00, në sallën e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, në Institucionin e Presidentit të Republikës, me temë:
“Gjendja e sigurisë kibernetike dhe masat e marra për forcimin e mbrojtjes kibernetike në Republikën e Shqipërisë”
Thirrja e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar synon të bëjë një analizë gjendjes aktuale të sigurisë kibernetike, sfidave dhe kërcënimeve me të cilat përballemi në këtë drejtim. Insititucionet përgjegjëse do të informojnë Këshillin e Sigurimit Kombëtar për masat e marra për forcimin e mbrojtjes kibernetike në zbatim të rekomandimeve të dhëna nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, në muajt Tetor 2022 dhe Janar 2023.
Pjesëmarrës në këtë mbledhje do të jenë:
Kryetari Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Zonja Lindita NIKOLLA
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Zoti Edi RAMA
Zv/Kryeministër dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda BALLUKU
Ministri i Mbrojtjes, Niko PELESHI
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta XHAÇKA
Ministri i Drejtësisë, Ulsi MANJA
Ministri i Brendshëm, Blediar ÇUÇI
Minstri i Finacave dhe Ekonomisë, Delina IBRAHIMI
Kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Nasip NAÇO
Shefi Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, Gjeneral brigade Arben KINGJI
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet RRUMBULLAKU
Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Zonja Vlora HYSENI
Në këtë mbledhje janë ftuar të marrin pjesë edhe:
Zv/Kryetar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Ferdinand XHAFERAJ
Drejtori i Autoriteti Kombëtar për Çertifikimin Elektronik dhe Sigurisë Kibernetike, Igli TAFA
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda KARÇANAJ