Raportohet nga mediat kosovare se situata është qetësuar në veri të Mitrovicës.
Protestuesit janë larguar prej zonës afër shkollës teknike, kurse është zvogëluar edhe prania policore në Lagjjen e Boshnjakëve.
Ndërkohë qytetarët e mbledhur afër shkollës teknike në Mitrovicë të Veriut – pas zhurmës së sirenave, që zgjatën më shumë se një orë – të revoltuar, kanë kërkuar që t’iu drejtohet dikush prej Listës Serbe.
Pasi kanë nisur fjalë ofenduese kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Listës Serbe, ata kanë shkuar afër objektit ku jeton Aleksandar Spiriç nga Lista Serbe, dhe kanë kërkuar të flasin me të.
Ndërkohë, turmës i është drejtuar Nebojsha Joviç, nga “Lëvizja për Mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë”.
Ai ka thënë se Lista Serbe nuk mund ta përfaqësojë më popullin serb në Kosovë.
Diçka e tillë është duartrokitur nga të pranishmit.
Më pas, turma ka nisur të shpërndahet.
Ndërsa drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, deklaroi se Millun Millenkoviç-Llune – i arrestuar të martën nga Policia e Kosovës – nuk është kriminel dhe se Policia e Kosovës nuk ka prova për akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Autoritetet kanë thënë se Millenkoviç ka qenë mbrapa sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan, dy javë më parë.
Petkoviç ka thënë në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Beograd se, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në vend që t’i ulë tensionet, ai po dërgon forca të reja policore në veri të Kosovës.
Petkoviç i ka bërë thirrje KFOR-it që të reagojë urgjentisht dhe që t’i largojë forcat speciale nga veriu i Kosovës./REL