Vendosni fjalën kyçe....

Trump del para gjykatës për përballjen me akuzat penale, mbështetësit e tij mblidhen jashtë godinës


Mbështetësit e Donald Trump u mblodhën të martën jashtë një gjykate në Majami, ku ish-presidenti i SHBA do përballet me akuzat penale se ai mbante në mënyrë të paligjshme dokumente të sigurisë kombëtare kur la detyrën dhe gënjeu zyrtarët që kërkuan t’i rimarrë ato.

Kjo do të jetë paraqitja e dytë në sallën e gjyqit për Trump që nga prilli, kur ai u deklarua i pafajshëm për akuzat në Nju Jork që rrjedhin nga pagesa e parave fshehta ndaj një ylli porno.

Disa dhjetëra protestues dhe gazetarë u përzien jashtë gjykatës ndërsa helikopterët fluturonin sipër. Siguria ishte e rreptë dhe gazetarët nuk u lejuan të sillnin telefona celularë ose pajisje të tjera elektronike në ndërtesë.

Trump ka pohuar vazhdimisht pafajësinë e tij dhe ka akuzuar administratën e presidentit demokrat Joe Biden se e ka vënë në shënjestër atë. Ai e quajti këshilltarin e posaçëm Jack Smith, i cili drejton prokurorinë, një “urrejtës të Trump”.

Trump, i cili mbush 77 vjeç të mërkurën, është ish-presidenti i parë që përballet me akuza penale, por kjo nuk i ka prishur shpresat e tij për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë. Pas akuzës së tij, Trump do të fluturojë nga Miami në klubin e tij të golfit në New Jersey, ku kishte planifikuar të fliste.

Problemet ligjore të Trump nuk e kanë dëmtuar pozitën e tij me votuesit republikanë. Një sondazh i Reuters/Ipsos tregon se Trump mban një epërsi të gjerë ndaj rivalëve për nominimin republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, me 81% të votuesve republikanë që i shohin akuzat si të motivuara politikisht.