Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi në një lidhje direkte në Report Tv, foli për situatën e krijuar në Partinë Demokratike, pasi Kryesia i hapi rrugë zgjedhjes së kreut të PD-së.
Bardhi nuk përjashtoi mundësinë që nëse gjatë procesit për zgjedhjet e kryetarit shkelet statuti i partisë të përfundojë në gjykatë.
“Do ndjek hapat që parashikon statuti i partisë do bëj gjithçka që statuti të jetë udhëheqësi i vetëm i çdo procesi të brendshëm përfshirë edhe zgjedhjen e kryetarit. Jam duke vlerësuar se cilin hap duhet të hedh. Nuk do nxitohem në veprime. Kam treguar përgjegjshmërinë e duhur për situatën në të cilën ndodhet PD dhe apeloj cilindo të tregohet i përgjegjshëm.
Nëse shkelet statuti padiskutim. Kemi një ngërç ligjor mbi statutin e organeve të partisë një proces që vijon, për faktin se një pjesë të anëtarëve të partisë zgjidhën një rrugë jashtë institucionale për t’iu imponuar PD. Rruga që po ndiqet nuk është në interesin e tyre, e tkurr PD”, tha Bardhi.