Vendosni fjalën kyçe....

Autoritetet e Kosovës kallëzojnë penalisht shoqërinë që ka në pronësi Klan Kosovën, i pezullojnë certifikatën e biznesit


Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e Qeverisë së Kosovës ka iniciuar kallëzim penal në Policinë e Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK.

Kështu thuhet në një njoftim për media të kësaj ministrie.

Në kuadër të kësaj shoqërie tregtare është edhe Televizioni Klan Kosova.

Kallëzimi penal, siç thuhet në njoftim, është iniciuar edhe ndaj zyrtarëve përgjegjës të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, “nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike”.

MINT ka theksuar se në bazë të akteve ligjore, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës (ARBK), “ka marrë vendim që të pezulloj certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër”.

Arsyeja e pezullimit të kësaj certifikate, sipas vendimit të Drejtorisë së përgjithshme të ARBK-së, është se kallëzimi penal është ngritur me “pretendimin se në certifikatën biznesit te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.

“…nuk lejohet regjistrimi i një biznesi ku vendbanimi është në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që në bazë të këtij dokumenti vërtetohet se qyteti i Pejës dhe Gjakovës është nën administrimin e Republikës së Serbisë…”.

Për vendimin e ARBK-së, është ftuar në takim dhe është njoftuar pala, përkatësisht pronari i Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK.