Vendosni fjalën kyçe....

Basha kërkon ndryshimin e sistemit politik: Ka degraduar shumica e heshtur kërkon ndryshim rrënjësor


Ish-drejtuesi i PD-së Lulzim Basha në rikthimin e aktivitetit të tij politik ka takuar mbështetës të tij në Degën nr.6 të Tiranës.

Në një postim në rrjetet sociale, Basha thotë se sistemi politik në Shqipëri ka degraduar duke kërkuar një ndryshim të tij pasi siç shkruan ish-kryedemokrati këtë ndryshim e kërkon shumica e heshtur.

“Mirënjohje për punën dhe sakrificat e demokratëve të Degës nr.6 në Tiranë. E pranova me kënaqësi ftesën e tyre për një bashkëbisedim të hapur mbi shqetësimet që të gjithë ne si qytetarë dhe demokratë bashkëndajmë sot. Kjo kohë reflektimi më shërbeu të shihja edhe më qartë sesi ky sistem politik ka degraduar në një shfaqje që ka në qendër hallet e pak politikanëve, jo problemet e qytetarëve. Sherret, akuzat, gjuha e urrejtjes nuk mund të jenë përgjigjja për sfidat e mëdha që ka vendi. Më shumë se 70% të qytetarëve e kanë refuzuar këtë sistem politik, që nuk ofron asnjë zgjidhje për shqetësimet e përditshme të shqiptarëve.

Kjo shumicë e heshtur kërkon një ndryshim rrënjësor në punët e vendit, një alternativë që pasqyron aspiratat e njerëzve, i dëgjon dhe fuqizon ata. Partia Demokratike mund të sjellë këtë ndryshim, në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, shkruan Basha.