Vendosni fjalën kyçe....

Bombardimet ruse në Odesa shkaktojnë 6 viktima dhe dhjetëra të plagosur


Të paktën gjashtë persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur pasi qyteti Odesa u shënjestrua nga forcat ruse. Bombardimet,  shkaktuan dëme të shumta në banesa, një magazinë, si dhe në dyqane e kafene në qendër të qytetit. Sulmi i nisur nga Deti i Zi përfshinte katër raketa “Kalibr” të lëshuara nga deti, tre prej të cilave u kapën nga mbrojtja ajrore.

“Qytetet me rrënoja. Qytetet me rrugë të përmbytura. Qytete që ekzistojnë vetëm në kujtime të bukura. Qytetet ku tani tingëllojnë shpërthime në vend të të qeshurave të fëmijëve. Ne kurrë nuk do ta falim dhimbjen që Rusia ka sjellë në tokën tonë”, u shpreh presidenti ukrainas i cili dënoi sulmin në Odesa.

Ndërkaq në fushën e betejës, Ukraina raporton përparime në rritje në kundërofensivën e saj kundër forcave ruse. Trupat ukrainase kanë avancuar 200-500 metra në zona të ndryshme pranë qytetit të vogël lindor të Bakhmut dhe 300-350 metra në drejtim të qytetit juglindor të Zaporizhzhia.

Mes të tjerave Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko ka konfirmuar se vendi ka filluar të marrë armët  bërthamore nga Rusia.

“Ne kemi nga Rusia raketa dhe bomba që janë tre herë më të fuqishme se ato të hedhura në Hiroshima dhe në Luftën e Dytë Botërore.”

Lukashenko u shpreh gjithashtu se gjithçka është gati për vendosjen e armëve bërthamore ruse, duke shtuar se mund të duhen vetëm disa ditë që vende të marrë atë që kishin kërkuar  prej kohësh.

Ky vendim po vëzhgohet nga afër nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, si dhe nga Kina të cilat kanë paralajmëruar vazhdimisht kundër përdorimit të armëve bërthamore në konfliktin e Ukrainës.

Presidenti rus Vladimir Putin javën e kaluar deklaroi se do të fillojë vendosjen e armëve bërthamore në Bjellorusi pasi të jenë bërë gati objektet speciale të magazinimit për t’i vendosur ato.