Nxënësi, i cili në fund të qershorit do të mbushë 14 vjet, dyshohet se të mërkurën, më 14 qershor, ka plagosur rëndë zëvendësdrejtorin dhe mësimdhënësin e Gjuhës Angleze në shkollën fillore në Lukavac afër Tuzlës, në Bosnje e Hercegovinë.
Prokuroria e Kantonit të Tuzlës bëri të ditur se i mituri ka qëlluar disa herë në drejtim të mësuesit dhe me një prej plumbave e ka qëlluar në qafë. Policia e ka dërguar në komisariatin e policisë vendore dhe po zhvillohen hetime për detajet, përcjell REL.
Ministri i Arsimit i Kantonit të Tuzlës, Ahmed Omeroviq, në një konferencë për media tha se ky nxënës në fund të vitit të kaluar ishte transferuar në një shkollë tjetër në atë qytet si pasojë e masës disiplinore.
Kryetari i Komunës së Lukavacit, Edin Deliq, duke folur për ngjarjen, u ka bërë thirrje prindërve që mos shkaktojnë panik pasi në mesine të lënduarve nuk ka fëmijë.
“Në mesin e tyre nuk ka fëmijë, prandaj kërkoj nga prindërit që të mos shkaktojnë panik. Autori është fëmijë i mitur dhe është arrestuar menjëherë. Një ditë e vështirë“, ka thënë Deliq në Facebook.
Policia ka bërë të ditur se fëmija i dyshuar është nën mbikëqyrjen e policisë.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se të shtënat në shkollë janë raportuar rreth orës 9:00 të mëngjesit.
Qendra Klinike Universitare e Tuzllës bëri të ditur se një pacient me iniciale O.N është shtruar aty për shkak të plagës me armë zjarri në qafë.
“Pacienti është intubuar dhe operacioni është në vazhdim”, kanë thënë nga spitali.