Tre persona janë arrestuar pasditen e sotme në Kavajë, pasi kanë marrë peng një 22-vjeçar dhe e dhunuan.
Policia bën me dije se në pranga kanë rënë Kristi dhe Enea Dilo (vëllezër), Renaldo Shala, Xhuljano Diko. Autorët dyshonin se i riu i kishte mashtruar për të shitur një automjet me vlerë 4000 euro.
Njoftimi i policisë:
Kavajë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Preteksti”.
I hoqën lirinë një 22-vjeçari dhe e dhunuan atë, pasi pretendonin se i kishte mashtruar për të shitur një automjet me vlerë 4000 euro, kapen menjëherë pas njoftimit dhe vihen në pranga 3 shtetas (2 prej tyre vëllezër).
Vihet në pranga edhe 22-vjeçari, për dyshime për mashtrim. U arrestuan shtetasit Kristi dhe Enea Dilo, Renaldo Shala, Xhuljano Diko
Sekuestrohet automjeti për shitjen e të cilit dyshohet se ka mashtruar 22-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kishin hequr lirinë për disa minuta, një 22-vjeçari, dhe e kishin dhunuar atë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Preteksti”.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, u bë e mundur zbardhja e plotë e këtij rasti, si dhe kapja dhe arrestimi i shtetasve përgjegjës, konkretisht i shtetasve:
D., 32 vjeç dhe E. D., 34 vjeç, të dy banues në Tiranë (vëllezër), si dhe i shtetasit R. Sh, 25 vjeç, banues në Durrës.
Nga këto veprime dyshohet se këta 3 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë marrë me forcë në një automjet, shtetasin Xh. D., e kanë dhunuar atë dhe i kanë hequr lirinë për disa minuta, pasi pretendonin se ky shtetas kishte mashtruar shtetasin R. Sh., për t’i shitur një automjet me vlerë 4000 euro, të cilin e kishte marrë me qira, nga shtetasit K. D. dhe E. D.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua edhe shtetasi Xh. D., 22 vjeç, banues në Durrës, si autor i dyshuar i këtij rasti mashtrimi.
Në cilësinë e provës materiale u gjet dhe u sekuestrua automjeti për të cilin dyshohet se ka mashtruar shtetasi Xh. D.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.