Vendosni fjalën kyçe....

Osmani mban fjalim në Parlamentin Evropian, kërkon mbështetje për Kosovën: Shtëpia s’mbahet pa miq


Presidentja e Kosovës ka mbajtur një fjalim në Parlamentin Europian. Në fillim të fjalës ajo rikujtoi fjalimin e ish-presidentit Ibrahim Rugova 25 vite më parë në PE.

Ajo falënderoi vendet e BE-së për mbështetjen e tyre për Kosovën gjatë kohës së luftës  si dhe në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

“Presidenti Rugova e konsideroi çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm për t’u bashkuar në emër të vlerave të cilat ky Union i përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur. Europa jo vetëm që ia kishte hapur dyert Presidentit Rugova, por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht. Sot, duke qëndruar këtu në Strasburg, kam nderin të jem presidentja e parë e Republikës së pavarur të Kosovës që do të flas para Parlamentit Evropian, për t’ju falënderuar për kontributin e pamasë dhe të vazhdueshëm që ky institucion ka dhënë për lirinë, demokracinë tonë dhe pavarësinë.” – tha Osmani.

Para eurodeputetëve, Osmani kërkoi mbështetjen e PE-së në rrugën europiane të Kosovës, ndërsa rikujtoi thënien e presidentit Rugova se ‘shtëpia nuk mbahet pa miq’.