Militantët sulmuan një kamp për personat e zhvendosur nga shtëpitë në provincën Itur të Republikës Demokratike të Kongos, duke vrarë të paktën 46 persona.
Autoritetet vendase fajësuan për sulmin në kampin Lala grupin ‘Kooperativa për Zhvillimin e Kongos’ (CODECO), një milici që vepron në lindjen e vendit të përfshirë nga dhuna.
Shefi i distriktit Bahema Badjere, Jean Richard Lenga, u citua nga Reuters se burra të armatosur kishin therur e qëlluar me armë zjarri 46 persona si dhe kishin djegur të tjerë në shtëpitë e tyre në mes të kampit.
“I gjithë fshati është në zi tani, është shumë e trishtë,” tha ai, duke shtuar se autoritetet po kërkonin ende trupa, me numrin e viktimave që pritet të rritet pasi shumë kasolle në kamp ishin djegur. Sipas Lenga, shumë banorë ikën në qytetin e afërt të Bule, ku ndodhet një bazë paqeruajtëse e Kombeve të Bashkuara.
“Ata filluan të qëllonin, shumë njerëz u dogjën për vdekje në shtëpitë e tyre, të tjerët u vranë me hanxhar”, tha për AFP Desire Malodra, një përfaqësuese e shoqërisë civile. Një tjetër udhëheqës i grupit të të drejtave civile, Charite Banza, i tha Reuters se viktimat do varroseshin në një varr masiv.
Sulmi i së hënës pason një të ngjashëm të së shtunës, për të cilin fajësohet gjithashtu CODECO, në zonën Djukoth të territorit Mahagi të provincës, i cili la shtatë persona të vdekur.
Milicia CODECO, e tërhequr kryesisht nga grupi etnik bujqësor Lendu, i cili ka një mosmarrëveshje të gjatë me blegtorët Hema, supozohet se ka shënjestruar shpesh kampet e zhvendosjes. Thuhet se ka vrarë 60 njerëz vitin e kaluar në një kamp të personave të zhvendosur në DRC lindore.
Në fillim të këtij viti, shtatë persona, përfshirë pesë fëmijë, thuhet se u vranë në zonën verilindore, ndërsa varre masive me trupat e 49 civilëve u zbuluan në dy fshatra në Ituri.