Vendosni fjalën kyçe....

Trump shfaqet në gjykatë


Ish-presidenti amerikan Donald Trump u paraqit në gjykatë në Miami, Florida, të martën për një seancë fillestare pasi u akuzua për keqpërdorim të dokumenteve qeveritare.

Trump u deklarua i pafajshëm dhe pohon se aktakuza me 37 pika është një përpjekje ‘staliniste’ e Presidentit Joe Biden për të mënjanuar rivalin e tij kryesor politik.

Autokolona e Trump mbërriti në gjykatën ‘Wilkie D Ferguson’ të martën pasdite, para se të arrestohej dhe të gjykohej. Ndërsa ishte rrugës për në gjykatë, Trump postoi në platformën e tij ‘Truth Social’: “Një nga ditët më të trishta në historinë e vendit tonë. Ne jemi një komb në rënie!!!”

Grupe të vogla të mbështetësve të ish-presidentit dhe kundërshtarëve të tij u mblodhën jashtë ndërtesës, duke valëvitur flamuj dhe pankarta. Nuk u raportua për dhunë apo përleshje.

Trump u deklarua i pafajshëm, siç pritej gjerësisht.

Akuzat kundër Trump u zbuluan të premten, pas një hetimi disa mujor të udhëhequr nga këshilltari special i Departamentit të Drejtësisë, Jack Smith. Hetimi filloi me një bastisje të FBI-së në pronën e Trump-it në Mar-a-Lago në Florida gushtin e kaluar, gjatë së cilës agjentët gjetën kuti me letra qeveritare, disa prej të cilave dyshohet se përmbanin inteligjencë për vendet e huaja.

Trump po përballet me 31 akuza për ‘mbajtje me dashje’ të dokumenteve të klasifikuara sipas Aktit të Spiunazhit, dhe gjashtë akuza të tjera duke përfshirë pengimin e drejtësisë dhe deklarata të rreme. Shkeljet e ligjit të spiunazhit sjellin deri në 10 vjet burg, ndërsa disa nga akuzat për pengim deri në 20 vjet.

Ish-presidenti pohon se nuk bëri asgjë të keqe dhe se kishte autoritetin për të deklasifikuar dokumentet përpara se t’i çonte në Florida nga Shtëpia e Bardhë. Duke folur para mbështetësve në Georgia të shtunën, Trump akuzoi Biden se ‘po përpiqej të burgoste kundërshtarin e tij kryesor politik, ashtu siç bënë në Rusinë staliniste ose në Kinën komuniste’.

Kandidati kryesor republikan ka vënë në dukje gjithashtu keqpërdorimin e dokumenteve të klasifikuara nga vetë presidenti Joe Biden – kutitë e të cilave u gjetën në shumë vende, përfshirë garazhin e tij në Delaëare në fillim të këtij viti – si provë se ai po ndiqet në mënyrë të padrejtë.

Ndërkohë, Trump po përballet gjithashtu me akuza penale shtetërore në Nju Jork për gjoja falsifikimin e të dhënave të biznesit dhe është subjekt i dy hetimeve penale: njëri në lidhje me përpjekjet e tij të supozuara për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020 në Geeorgia dhe tjetri që përqendrohet në rolin e tij të dyshuar në nxitjen e trazirave të janarit 2021 në Capitol Hill.