Turqia nuk ka gjasa të sinjalizojë gatishmërinë e saj për të rënë dakord për pranimin e Suedisë në NATO në një takim të ardhshëm të zyrtarëve nga Turqia, Suedia dhe Finlanda më vonë këtë javë, raportoi Bloomberg të martën, duke cituar burime.
Ankaraja beson se Stokholmi duhet të bëjë më shumë për të përmbushur kushtet e tij përpara samitit të bllokut në korrik, sipas gazetës.
Përfaqësuesit e tre vendeve do akohen në kryeqytetin turk të mërkurën për të diskutuar kandidaturën suedeze në NATO.
Verën e kaluar, dy vendet nordike ranë dakord të adresojnë shqetësimet e Ankarasë në këmbim të pëlqimit të Turqisë për pranimin e tyre në bllokun ushtarak të udhëhequr nga SHBA.
Turqia miratoi kandidaturën e Finlandës në mars, por beson se Suedia ende nuk ka bërë mjaftueshëm për të zgjidhur çështjet dypalëshe të sigurisë. Ankaraja dëshiron veçanërisht që Stokholmi të zbatojë plotësisht ligjin e tij kundër terrorizmit të miratuar së fundmi, i cili hyri në fuqi më 1 qershor, thanë burime të njohura me këtë çështje për Bloomberg.
Suedia argumenton se miratimi i ligjit ishte i mjaftueshëm për të përmbushur detyrimet e saj sipas marrëveshjes së vitit të kaluar me Turqinë, sipas gazetës. Të hënën, qeveria suedeze tha se do ekstradonte në Turqi një person të dyshuar për mbështetje të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK). Ankaraja e konsideron PKK-në një grup terrorist.
Javën e kaluar, prokurorët suedezë ngritën akuza për financimin e terrorizmit kundër një të dyshuari tjetër, i cili dyshohet se kërkoi të zhvaste para në emër të PKK. Sipas Bloomberg, zyrtarët turq nuk iu përgjigjën kërkesës së medias për koment mbi detyrimet e Suedisë.
Vende të tjera të NATO-s po i kërkojnë Ankarasë të miratojë ofertën e Suedisë përpara samitit të bllokut ushtarak të planifikuar për muajin e ardhshëm. Në fillim të qershorit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se kombi nordik kishte përmbushur të gjitha kriteret e hyrjes dhe kishte bërë ‘hapa konkretë të rëndësishëm’ për të përmbushur kërkesat e Ankarasë.
Samiti i NATO-s do mbahet në Vilnius, Lituani më 11 dhe 12 korrik. Të 31 anëtarët e NATO-s duhet të mbështesin një vend kandidat përpara se ai të bëhet anëtar. Turqia dhe Hungaria ende nuk e kanë bërë këtë në rastin e Suedisë.
Më herët Turqia kërkoi që dy vendet të heqin embargot e armëve ndaj Ankarasë, të ekstradojnë terroristët e dyshuar kurdë dhe të kufizojnë aktivitetin e PKK brenda kufijve të saj.
Tubimet në Suedi në fillim të këtij viti, duke përfshirë atë që paraqiste djegien e një Kurani jashtë ambasadës turke në Stokholm, e shtynë Ankaranë të vërë në dyshim angazhimet e Suedisë për të adresuar kërkesat turke. Autoritetet suedeze më pas i ndaluan aktivistët anti-islamikë që të digjnin Kuranin para ambasadës turke muajin pasardhës.