Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka mohuar se efektivët e policisë speciale të Kosovës janë rrëmbyer
Ai dha versionin e tij se policët e Kosovës ishin në zonë pa miratimin e KFOR-it.
“Këta njerëz nuk kanë çfarë të kërkojnë në zonën Tresavë – Batnjik pa miratimin e KFOR-it, e sidomos jo me gypa të gjatë. A duan të vrasin njerëz me tuba të gjatë? Kemi dëshmi dhe biseda të regjistruara, video dhe audio biseda që e dinë se KFOR-i nuk ka qenë i informuar për këtë” – tha Vuçiç.
Ai thotë për mediat serbe se “forcat speciale” të Kosovës janë arrestuar 1.8 kilometra larg vijës administrative të Orahovë – Gnjilicë.
“Garantoj se asnjë ushtar i ushtrisë serbe dhe asnjë polic nuk ka hyrë në vijën administrative. Ushtria jonë ishte 20 kilometra larg vijës administrative. Është e lehtë për KFOR-in ta kontrollojë këtë”- tha Vuçiç.
Vuçiç thotë se hetimet janë duke vazhduar.
“Ne jemi një vend serioz. Këta (terroristët e Kurtit) nuk u rrahën, as u keqtrajtuan, as u shpërfytyruan si njerëzit e arrestuar nga “policia” e Kurtit. Dinjiteti i tyre u ruajt në çdo mënyrë. Për të gjitha këto morëm përgjigjen se “I ka rrëmbyer Serbia”. Askush nuk iu afrua vijës administrative. Nuk e kemi problem që të gjithë të na tregojnë imazhet e tyre satelitore dhe të shohin gjithçka qartë. KFOR-i tashmë e di se ne nuk e kemi kaluar vijën administrative”– tha Vuçiç.