Deputeti i PD-së Tomor Alizoti ka kërkuar që çështja e rrëmbimit të tre efektivëve të Policisë së Kosovës të futet në rend ditë në seancën e sotme në Kuvend.
Ai tha se Shqipëria duhet të luajë rolin e saj për zgjidhjen e krizës që po degradon.
“Kriza e Kosovës po merr përmasa të mëdha. Rëndësia sot edhe në media botërore është kriza në Kosovë e cila mund të agravojë. Shqipëria me përvojën e saj diplomatike duhet ta ketë rend dite. Ata janë vëllezërit tanë. Merreni seriozisht këtë gjë. Kriza atje po degradon. Kriza prodhon krizë.” – tha Alizoti.
Më herët deputeti tjetër i PD-së Asllan Dogjani kërkoi me ngulm mbledhjen e Komisinit të Jashtëm për çështjen e lartpërmendur.
Kryeministri i Kosovës Kurti në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp paradite e quajti agresion ndaj demokracisë e shtetit sovran rrëmbimin brenda territorit të tre efektivëve duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.
Po kështu ai tha se ishte i befasuar nga toleranca e heshtja e vendeve ndërkombëtare ndaj ngjarjes në fjalë.