Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë sot kërkesën e një 36 deputetëve të PD-së për Parkun e Butrintit.
Në një deklaratë për mediat, nismëtarja e çështjes në fjalë, deputetja demokrate Ina Zhupa tha se bëhet fjalë për 13 shkelje ndërsa tha se priste që ministrja e Kulturës Margariti e përfaësuesit e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit të jenë të pranishëm në seancë.
Zhupa tha gjithashtu se kishte besim të plotë se Gjykata Kushtetuese do japë një vendim në mbrojtje të identitetit kombëtar.
“Jemi në lidhje me kërkesën që kemi bërë, ndërsa përfaqësohemi nga zonja Metaliaj dhe zoti Spaho, ku do të paraqesin padinë e 36 deputetëve të opozitës për parkun e Butrinti. Uroj që palët të jenë prezentë dhe ministrja Margariti, që ta mbrojë dhe koncesionin e saj. Uroj që të jenë prezentë dy CEO-t e Fondacionit Amerikan-Shqiptare. Eroj që të jenë këtu që të thonë tezat dhe faktet e tyre, që të përballemi me argumente. Janë 13 shkelje me vendim gjykate, të konventave ndërkombëtare, asaj të Parisit dhe të Kartës së Qeverisjes vendore. Sot nisim me besimin e plotë se Gjykata Kushtetuese do të japë verdiktin për të mbrojtur identitetin kombëtar.” – tha Zhupa.
Ajo theksoi se nëse gjykata do lejojë dhënien me koncesion të Parkut të Butrintit do ishte një dëm mjaft i rëndë për trashëgiminë kulturore e historike të Shqipërisë.
“Ndërtohen në Butrint restorante, suvenire, bare në një zonë që është e mbrojtur. Hiqet kompetenca për të monitoruar pasurinë tonë kombëtare dhe i lihet në dorë një private. Çdo gjetje që bëhet në Butrint do tjetërsohet. Butrintit gjithashtu i hiqet nga kompetenca të gjithë organeve të shtetit. Konventa e Parisit ndalon që fondacionet të marrin në administrim, pra administrimi i pasurive në UNESCO duhet të jenë në administrim nga shteti. Sot Butrinti ka 2 mln dollarë në arkat e veta të mbledhura nga qeveria shqiptare që do t’i kalohen si palë fondacionit të Butrintit pabarazia për Butrintin.” – shtoi Zhupa.