I ftuar në studion e emisionit “Frontline” në News24, ish-deputeti i Partisë Demokratike Astrit Patozi, ka komentuar situatën në forcën politike në të cilën dikur ka bërë pjesë.
Patozi u shpreh se PD “nuk ka parë ditë të bardha” që kur, sipas tij prishi garën për kreun e partisë mes Lulzim Bashës dhe ish-deputetit të ndjerë, Sokol Olldashi, e cila përfundoi me fitoren e Bashës dhe kontestime në radhët e demokratëve.
Sipas tij Berisha ka qenë mbështetësi i vetëm i Lulzim Bashës që nga dita e tij e parë dhe deri kur “nxorrën thikat dhe nisën përleshjen”.
Ai vijoi duke thënë se ish-kryeministri ka qenë “nxitësi dhe tutori” i Bashës deri në fund.
“Basha sot po thotë disa teza për të cilat na ra goja dhe ai nuk bëri gjë kur kishte mundësi. Ne e kemi çuar listat e hapura në GJK dhe sot që flasim lista është e hapur. Sot ka një betejë të pabarabartë.
PD nuk ka parë asnjë ditë të bardhë që kur prishi garën mes Bashës dhe Olldashit sepse nuk ka pasur asnjë proces të pastër në brendësi. Shqiptarët e shohin që sa herë ke kontestime për një garë të pandershme brenda shtëpisë, mos prit perfeksion me kundërshtarin.
Berisha ka qenë mbështetësi i vetëm i Bashës që nga dita e parë kur u zgjodh, deri në ditën kur ata nxorrën thikat dhe nisën përleshjen. Berisha ka qenë nxitësi dhe tutori i Bashës deri në fund. Basha është i vetmi që në fushatë rri në shtëpi dhe pas zgjedhjeve thotë do bëhem kryetar. Fakti që Basha po bën të njëjtën gjë si Berisha. Ajo simbioza mes tyre nuk ka qenë e kotë, pasi kanë uudhëhequr njësoj dhe kanë bërë të njëjtat veprime”, deklaroi Patozi.