Vendosni fjalën kyçe....

Escobar: Ata që refuzojnë partneritetin me SHBA do kenë pasoja


I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Kosova do të përballet me pasoja nëse vazhdon të injorojë këshillën e Shteteve të Bashkuara – që kryetarët e rinj shqiptarë të mos punojnë nga ndërtesat komunale në veri.

Ai ka thënë në një konferencë online për media se, gjithçka që ka bërë SHBA-ja në 90 ditët e fundit, ka qenë në favor të Kosovës.

“Serbia nuk ka dashur që të shkojë përpara aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, ne e kemi mbështetur. Serbia ka dashur që Kosova t’i anulojë zgjedhjet, por ne i kemi mbështetur, Serbia ka dashur që zgjedhjet të shpallen të paligjshme për shkak të daljes së ulët, ne i kemi mbështetur ato, Serbia nuk ka dashur që të njihet legjitimiteti i kryetarëve të rinj, ne i kemi njohur ata. Dhe e sfidoj gjithsecilin që të gjejë diçka që ne kemi bërë, e që nuk ka shkuar në të të mirë të Kosovës”.

Escobar ka thënë se ambasadorët amerikanë në Kosovë dhe Serbi nuk e kanë përmendur kurrë fjalën sanksion, por pasoja.

“Ata që duan të jenë partnerë me ne, duhet të punojnë afër me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, në pikat në të cilat jemi duke insistuar. Një lider nuk mund të ketë në dorë drejtimin e gjithë rajonit. Prandaj, ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja”.

Sipas tij, përshkallëzimi është duke krijuar kushte të vështira për rajonin, dhe jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, prandaj të dyja palët kanë rol në uljen e tensioneve.

I pyetur nëse do të marrë pjesë në takimin që do të mund të mbahet në Bruksel javën e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë, nën organizim të kryediplomatit evropian, Josep Borell, Escobar ka thënë se ende është duke u punuar në takim.

“Varësisht prej përgatitjeve që do të kemi, do të vendosim nëse do të shkoj në Bruksel. Por, pa asnjë dyshim, këto përpjekje do ta kenë mbështetjen amerikane”.

Kurti ka thënë më herët gjatë së premtes se ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takim.

Sa i përket kritikës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se KFOR-i ka heshtur për arrestimin e tre policëve të Kosovës nga autoritetet serbe, Escobar, ka thënë se SHBA-ja dhe KFOR-i janë në pritje të fakteve.

“Po presim përfundimin e hetimeve. Mendojmë se është joadekuate të bëjmë vlerësime parapake”.

Escobar ka thënë se beson që Qeveria e Kosovës duhet të heqë ndalesën ndaj mallrave serbe në kufi.

“BE beson se diçka e tillë, jo vetëm që është joevropiane, po as nuk ekziston bazë ligjore. Ne e mbështesin këtë qëndrim dhe besojmë se është përshkallëzim i panevojshëm i një situate veçse të tensionuar”.