Izraeli po negocion shitjen e tankeve të vjetra ‘Merkava’ te dy vende të paidentifikuara, njëri prej të cilëve është në Evropë, zbuloi të enjten Ministria e Mbrojtjes. Marrëveshja është e para e këtij lloji dhe pritet të arrihet brenda tre muajve të ardhshëm, nëse miratohet nga SHBA-ja.
“Janë dy vende potenciale me të cilat po zhvillojmë negociata të përparuara. Unë e kam të ndaluar t’i përmend ato, por njëri është në kontinentin evropian,” tha Yair Kulas, kreu i drejtorisë së ministrisë izraelite për bashkëpunim ndërkombëtar (SIBAT).
Kulas shpjegoi se shumë vende evropiane kanë zbrazur arsenalet e tyre për të furnizuar Ukrainën dhe po kërkojnë t’i rimbushin ato me sisteme më moderne, ‘ku industritë izraelite dalin në skenë’. Prodhimi i tankeve kërkon kohë, kështu që është më e lehtë për t’i blerë ato të përdorura, shtoi ai.
Të mërkurën, Ministria izraelite e Mbrojtjes raportoi 12.5 miliardë dollarë shitje armësh për vitin 2022, që përbën një rekord të të gjitha kohërave.
Sipas gazetës YNet, marrëveshja përfshin rreth 200 tanke të tërhequr nga shërbimi aktiv që po mirëmbahen në depo.
Ministria e Mbrojtjes kishte synuar t’i çmontonte dhe t’i shiste për skrap përpara se përshkallëzimi i armiqësive në Ukrainë vitin e kaluar të ndryshonte në mënyrë drastike situatën në tregun global të armëve. Inspektorët izraelitë kontrolluan tanket dhe i gjetën ato ‘mjaftueshëm funksionalë për t’u shitur’.
‘Times of Israel’ raportoi se marrëveshja është ‘në prag të nënshkrimit përfundimtar’ dhe pritet të përfundojë brenda rreth tre muajsh.
‘Merkava’ është një dizajn izraelit i zhvilluar në vend në vitet 1970. Të gjitha llojet e kanë motorin në pjesën e përparme, me frëngjinë të vendosur mbrapa dhe një ndarje luftimi që hapet në pjesën e pasme, duke mundësuar përdorimin e dyfishtë si një transportues këmbësorie. Është projektuar posaçërisht për luftimet urbane dhe mbijetesën e ekuipazhit.