Vendosni fjalën kyçe....

Përzgjedhja e studimeve universitare në Shqipëri: Diferencat me bazë gjinore sipas fushave të arsimit ende të dukshme


Nga Ina Zela

Studimi “Përzgjedhja e studimeve universitare dhe implikimet prej saj në performancën akademike dhe në tregun e punës” i realizuar së fundi nga një grup pedagogësh të Universitetit “Mesdhetar të Shqipërisë” në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), evidentoi se diferencat me bazë gjinore vazhdojnë të ndikojnë në përzgjedhjen e degës së studimeve Bachelor.

Zgjedhja e degës së studimeve universitare është një nga vendimet më të rëndësishme të një maturanti që ndikon në formimin e tij, punën dhe karrierën në të ardhmen.

Sot, Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) janë përqëndruar më së shumti në tregun e punës dhe përshtatjen e kurrikulave në drejtim të këtij të fundit duke neglizhuar studimet mbi identifikimin e dallimeve gjinore në kuadrin arsimor, krahasimin e veçorive të studentëve djem dhe të studenteve vajzave të cilat kanë ndikim në orientimin e preferencave përsa i përket fushës së studimit.

Arsyet e përzgjedhjes së një dege apo një tjetre, përse më shumë vajza sesa djem orientohen në një degë të caktuar, nëse zgjedhjet orientohen drejt një dege të preferuar apo të “imponuar” nga agjentë socialë (prindërit, bashkëmoshatarët, masmedia, mësuesit, etj) janë çështje të cilat nuk janë studiuar siç duhet në Shqipëri.

Nga anketimi i 800 studentëve në universitete publike dhe jopublike në vend si dhe nga fokus grupet e zhvilluara në kuadër të këtij studimi vërehet se diferencat me bazë gjinore sipas fushave të arsimit janë ende të dukshme.

Ndikimi i stereotipeve, perceptimeve, sjelljeve të lindura e të fituara gjatë jetës i thellojnë dhe më tepër dallimet gjinore në përzgjedhjen e karrierës akademike. Elementi gjinor në përzgjedhjen e profesionit është më i fortë në shoqëri të mbyllura sesa të hapura. Në përgjithësi vihet re që ky komponent është më i fortë në zona rurale dhe periurbane sesa në zona urbane apo qytete të mëdha.

Për fushat e studimit “Shkenca Mjekësore dhe Shëndetësore” dhe “Shkencat e Natyrës” vërehet se studentet vajza kanë një preferencë më të dukshme sesa studentët djem, përkatësisht 17.2% dhe 15.7% përkundrejt 11.4% dhe 7.5%.

Gjithashtu, studentet vajza që ndjekin arsimin e lartë përqëndrohen më shumë në fushën e shkencave humane dhe arteve, ndërsa studentët djem që studiojnë në këto fusha janë më të pakët.

Trendi shfaqet i kundërt për ato fusha dhe nënfusha studimi të cilat janë njohur tradicionalisht si mashkullore. Studentët djem preferojnë më tepër sesa studentet vajza të studiojnë në fushat e studimit “Inxhinieri dhe Teknologji” dhe “Shkenca Sociale”, përkatësisht 16.9% dhe 58.2% përkundjet 6.5% dhe 52.6%.

Kjo tendencë konfirmohet edhe nga statistikat zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave i cili përdor klasifikimin ISCED Fields of Education and Training 2013 (ISCED-F 2013) për të klasifikuar në mënyrë ekskluzive programet e studimit. Përgjatë viteve të fundit vërehet se ka rritje në regjistrime të studentëve djem në “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” duke arritur në 30.2%.

Kjo fushë studimi së bashku me fushën “Biznes, administrim dhe ligj” kanë të regjistruar më shumë se gjysmën e studentëve djem. Ndërsa fushat me kërkesën më të ulët nga ana e studentëve djem janë: “Shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë” dhe “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari”.

Në lidhje me studentet vajza, viti i fundit shënon rritje të regjistrimeve kryesisht në fushat e studimit “Shëndet dhe mirëqënie” dhe “Biznes, administrim dhe ligj”. Ndërsa fushat që kanë numrin më të ulët të regjistrimeve janë “Bujqësi, pyje dhe peshkim” dhe “Shërbime”.

Për aq kohë sa do të mungojë  zbatimi i politikave orientuese, sidomos në zonat rurale, të cilat do të informojnë dhe do të ndihmojnë në tejkalimin e roleve tradicionale, modeleve dhe stereotipeve, për aq kohë vajzat do të vazhdojnë të jenë pjesa më e madhe e të regjistruarave dhe të diplomuarave me sektorin e mjekësisë, shkencave humanitare, etj dhe djemtë në fushën e inxhinierisë, teknologjisë.